Site icon Telegrafi

Merren masa të tjera kufizuese në Shqipëri, ndalohen grumbullimet e më shumë se 10 personave

Komiteti Teknik i Ekspertëve pas analizimit të situatës së koronavirusit në vend ka marrë disa masa të tjera kufizuese për të ndaluar përhapjen e mëtejshme të koronavirusit.

Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur që të ndalohen grumbullimet me më shumë se 10 persona në ambiente të hapura dhe të mbyllura.  Gjithashtu do të ndalohen mbledhjet partiake dhe tubimet.

Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur të ndalojë konferencat, ceremonitë e festave, ato martesore dhe organizimet përtej atyre familjare të ceremonive mortore deri në një urdhër të dytë.

“Në mbledhjen e fundit të Komitetit Teknik i Ekspertëve, pasi kemi analizuar situatën dhe risqet, ecurinë e epidemisë në vend dhe përgjigjen e qytetarëve ndaj masave të ndërmarra, kemi vendosur:

Të ndalohen grumbullimet me më shumë se 10 persona në vende të hapura dhe të mbyllura

Të ndalohen mbledhjet partiake dhe tubimet

Të ndalohen konfrencat, ceremonitë e festave, ceremonitë martesore dhe organizimet përtej atyre familjare të ceremonive mortore, deri në një urdhër të dytë”, tha Albana Fico, drejtoreshë e ISHP-së.

Fico tha se opsioni i mbylljes së vendit si Italia dhe Greqia është versioni i fundit sipas skenarëve të tyre.

“Të jemi të qartë që kjo është një situatë që vlerësohet në dinamikën e vet. Opsioni i mbylljes së Shqipërisë do të ishte versioni i fundit sipas skenarëve, por të mos harrojmë diçka. Sa i përket ecurisë së indikatorëve që masin situatën ne jemi akoma ku ndërhyrjet e bëra na lejonin që të vijojmë duke monitoruar javë pas jave”, tha Fico. /tvklan.al

Exit mobile version