15 fëmijë kanë vdekur në Haiti, pasi një zjarr ka përfshirë një jetimore në periferi të kryeqytetit.
Shkaku i zjarrit është ende duke u hetuar, por nga deklaratat e punonjësve dhe fëmijëve dyshohet se janë bërë shkak qirinjtë që përdoreshin për të ndriçuar në mungesë të energjisë elektrike.
Jetimorja e drejtuar nga një grup i krishterë me qendër në SHBA, ishte një nga qindra në Haiti që vepronte pa autorizim zyrtar.
Autoritetet tani po punojnë për të mbështetur dhe dërguar në jetimore të tjera fëmijët e mbijetuar.
Arielle Jeanty Villedrouin, drejtore e Institutit për Mirëqenie Sociale, tha se, në kohën e zjarrit, rreth 60 fëmijë po jetonin në jetimoren e pa licencuar, të operuar nga Kisha e Bibliotekës me qendër në Pensilvani.
“Ne do t’i vendosim ata në një qendër tranziti ndërsa do bëjmë kërkime mbi familjet e tyre dhe të shohim nëse mund t’i bashkojmë me prindërit e tyre,” i tha ajo agjensisë së lajmeve Reuters.
Zyrtarët thanë që dy fëmijë ndërruan jetë nga flakët dhe 13 të tjerë vdiqën në spital si rezultat i thithjes së tymit.
Gjykatësi vendor Raymonde Jean Antoine tha për agjencinë e lajmeve AFP se jetimorja nuk ishte e autorizuar të operonte që nga viti 2013.
Ajo tha se nuk i plotësonte standardet themelore, duke përshkruar kushtet e jetesës atje si “vërtetë, të lënëa pas dore”.
Rreth 30,000 fëmijë jetojnë në më shumë se 760 jetimore në Haiti, nga të cilat 15% janë regjistruar zyrtarisht, sipas bamirësisë Lumos, e cila u themelua nga shkrimtarja JK Rowling.
Rreth 80% e fëmijëve që jetojnë në jetimoret e Haitit kanë të paktën një prind gjallë. /KP/