Përbërësit:
▪ 600 gramë fileta peshku merluc
▪ 400 gramë domate të konservuara
▪ 2 decilitra lëng domatesh
▪ 1 kokë qepë
▪ 2 thelpinj hudhre
▪ 100 g ullinj të zinj
▪ 1 lugë gjelle majdanoz i grirë
▪ 1 decilitër verë e bardhë
▪ 1 lugë gjelle piper i kuq i bluar
▪ 3 dcl vaj
▪ 200 gramë miell
▪ 1 limon, borzilok, piper i zi
▪ erëza të përziera
Përgatitja:
1. Filetat e merlucit priten në copë të mëdha, u hedhen erëza, kripë e piper i zi sipas shijes dhe spërkaten me lëng limoni. Pastaj rrotullohen nëpër përzierjen e miellit me piper të kuq të bluar, lëshohen në vaj të nxehtë dhe fërgohen derisa të skuqen.
2. Qepa pritet në kube, hudhra shtypet, ndërsa domatet e konservuara bluhen në mikser.
3. Në pak vaj kaurdisen qepët, sa të marrin formë të kristaltë, e pastaj shtohen domatet e konservuara, hudhra, borziloku dhe erëza sipas shijes. Derdhet vera e bardhë dhe lëngu i domateve, shtohen ullinjtë dhe zihen pakëz.
4. Filetat e fërguara të merlucit renditen në tavën rezistuese ndaj zjarrit të lyer me vaj, përmbi u derdhet salca e përgatitur dhe ushqimi piqet 20 minuta në furrën e nxehtë paraprakisht në 200 gradë Celsius. /Telegrafi/