Kryetari i Komunës së Strugës Ramiz Merko, ka reaguar pas deklaratave të ministrit të Transportit dhe Lidhjeve Goran Sugareski, i cili tha se dikasteri që ai drejton ka propozuar ndryshime në Ligjin për tokë ndërtimore, me të cilat parashihet që shteti të merr nën drejtim plazhet në Liqenin e Ohrit, në vend të komunave siç është tani.
Merko thotë se duhet t’i dërgohet mesazh Sugareskit se Maqedonia është shtet demokratik dhe kjo sipas tij, nënkupton që duhet të praktikohet decentralizimit, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Prej vitit 2012 me decentralizim plazhet janë nën ingerenca të komunave. I rekomandoj Sugareskit të mos merr vendime selektive, vetëm për plazhet e Strugës. Le t’ia merr kompetencat edhe Komunave të Ohrit, Prespës, Dojranit dhe tek liqenet më të vogla. Ku do t’i dërgojë ministri plazhet, në Prilep?”, tha Merko për Plusinfo.
Ai shtoi se në parti nuk kanë biseduar për paralajmërimin e Sugareskit dhe njoftoi se për këtë do të kërkojë takim me kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti, që Kryesia Qendrore e partisë të merr qëndrim.
Edhe nga grupi i deputetëve të BDI-së kanë njoftuar se nuk kanë marrë akoma qëndrim nëse do të mbështesin ndryshimet në Ligjin për tokë ndërtimore./Telegrafi/