Deklarata është bërë nga kancelarja gjermane Angela Merkel, gjatë një konferencë për shtyp në Berlin me presidentin francez Nicolas Sarkozy. “Do të na pëlqente të kishim pjesëmarrjen e kreditorëve privatë. Shpresojmë që këtë çështje ta zgjidhim në bashkëpunim me BQE-në, pa krijuar asnjë mosmarrëveshje”, ka deklaruar Merkel.
Ndërkohë, komisioneri evropian për çështjet Financiare, Olli Rehn ka bërë të ditur se për shpëtimin e Greqisë do të ketë një ndërhyrje në dy kohë të ndryshme. “Të dielën e ardhshme duhet të japim dritën jeshile për këstin prej 12 miliardësh, ndërsa më 11 korrik të vendosim mbi pjesëmarrjen e privatëve në ndërhyrjen e dytë të ndihmave”, ka deklaruar Rehn.
Duke folur para përfaqësuesve të 27 vendeve anëtare, Rehn ka sqaruar se, me këtë ndërhyrje do të shmanget skenari i “default”-it për Greqinë dhe do t’i hapet rrugë një marrëveshjeje strategjike afatgjatë. /Telegrafi/