Afaristja e njohur në Zvicër, Merita Pinta është zgjedhur në krye të Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicër.
Me të marrë besimin e anëtarëve biznesmenë, Pinta ka shprehur gatishmërinë e saj për dhënë gjithë kontributin dhe përvojën e saj për të fuqizuar dhe zgjeruar bashkëpunimin me të gjitha bizneset e komunitetit shqiptar, që veprojnë në Zvicër.
Në Kuvendin e Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicër, ishte i pranishëm edhe ambasadori i Kosovës, Sami Ukelli dhe ambasadori i Maqedonisë së Veriut, Kenan Ramadani.
Ambasadori Ukelli ka thënë se është koha e duhur për të aktivizuar Rrjetin e Bizneseve Shqiptare në Zvicër, përcjell Albinfo.
Sipas tij është koha që numër sa më i madh i kompanive të diasporës të bëhen pjesë e Rrjetit të Bizneseve shqiptare në Zvicër, në mënyrë që nëpërmjet kësaj të kemi një bashkëpunim sa më të madh, ngase e gjitha kjo do të ishte në të mirë të shoqërisë sonë.
Ai ka shtuar se si Ambasadë mbështesin çdo iniciativë dhe përpjekje të rrjetit për bashkim dhe organizim në forma të tilla të bashkëpunimit, të cilat do të jenë në dobi të komuniteti në Zvicër.
Kurse, Ramadani ka thënë se Ambasada e Maqedonisë së Veriut do të jetë adresë dhe derë e hapur për Rrjetin e Bizneseve shqiptare në Zvicër.
Kryetari i nderit të Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicër, Fehmi Fetahi ka theksuar se marrë parasysh situatën në të cilën aktualisht ndodhemi, është i domosdoshëm riaktivizimi i këtij rrjeti në mënyrë që të kemi takime dhe afri më të madhe në mes të bizneseve, ngase sipas tij vetëm në këtë mënyrë do të arrinim të krijonim strukturë të fuqishme të bizneseve që do të ishte në të mirën e bizneseve të diasporës dhe vendit.
Kryesia e re e Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicër
– Merita Pinta, kryetare
– Dr. Fatime Imeri-Berisha, nënkryetare
– Rexhep Berisha, nënkryetar
– Teuta Kerhani-Rifati, anëtare e Kryesisë
– Anton Nikolla, anëtar i Kryesisë
– Ylli Doko, arkëtar