Site icon Telegrafi

Merino përballet me një mungesë afatgjatë, pasi pësoi një dëmtim të frikshëm nga bashkëlojtari i tij në seancën e parë stërvitore

Mesfushori spanjoll, Mikel Merino është treguar i pafat pasi ka pësuar një dëmtim të frikshëm në stërvitje, vetëm tre ditë pasi nënshkroi me Arsenalin.

28-vjeçari i cili iu bashkua Topçinjve nga Real Sociedadi për një vlerë fillestare prej 30 milionë eurosh plus 5 milionë euro bonuse, mori pjesë në seancën e tij të parë stërvitore të mërkurën.

Ai ‘nuk humbi kohë’ duke ndërtuar mprehtësinë e tij me stafin stërvitor të klubit përpara ndeshjes së tyre në Ligën Premier kundër Brighton të shtunën dhe ishte në garë për t’u paraqitur.

Por, në konferencën e tij për shtyp të premten, trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta konfirmoi se Merino do të mungojë për “disa javë” pasi pësoi një dëmtim në shpatull pas një incidenti me Gabriel Magalhaes.

Mbrojtësi brazilian thuhet se u ul mbi Merinon kur ky i fundit ishte në tokë – dhe si rezultat ai ka pësuar një frakturë të vogël.

 

“Po, shumë për të ardhur keq. Dje ai pati një përplasje dhe ai ka një lëndim në shpatull. Duket se ai do të jetë jashtë për disa javë”, ka thënë fillimisht Arteta.

“Ai ishte vërtet i emocionuar dhe gjithçka dukej shumë mirë. Ai u ul në tokë dhe Gabi u ul sipër tij dhe duket se ai ka një frakturë të vogël me siguri”, përfundoi trajneri i Arsenalit.

Arteta gjithashtu konfirmoi se Gabriel Jesus do të jetë jashtë ndeshjes të së shtunës kundër Brighton pasi ai vazhdon të rikuperohet nga një problem i lehtë në ijë. /Telegrafi/

Exit mobile version