Telegrafi

Mërgimtarët vijnë për festa të fundvitit, pritje deri në katër orë vetëm në Merdare

Foto: Ilustrim

Edhe këtë vit mërgimtarët që janë nisur për festat e fundvitit, sërish po përballen me kolona dhe pritje të gjata në pikën kufitare në Merdare.

Madje kishte ankesa se në pikën kufitare në Serbi, mërgimtarët po u japin të holla policëve në atë pikë që të kalojnë sa më shpejtë.

KosovaPress shkruan se një ekip i këtij mediumi në pasditen e sotme ka qëndruar për disa orë në pikën kufitare të Merdares, ku mërgimtarët prisnin deri në katër orë.

Bashkatdhetari nga Gjermania, Leotrim Shabri tregon se në pikën kufitare të Merdarës ka pasur pritje shumë të gjata.

Ndërkaq edhe Habit Shatri ka ankesa për atdhetarët që vijnë nga shtetet e huaja, pasi që në kufirin e Serbisë po u japin të holla policëve në atë pikë.

“Një ndjenjë shumë e keqe për neve që presim në rend kur vinë ata që i japin anës serbe të holla, për neve që presim nga dy tri orë shumë ndjenjë e keqe”, thotë ai.

E Arben Sinani tregon se sa i përket sigurimit, vitin e kaluar nuk ka paguar, ndërkaq këtë vit ai u detyrua të paguajë 77 euro për dy javë.

“Vjet nuk kam paguar sigurim hiq, kurse tash më thanë të paguaj sigurim 77 euro, nuk e di për dy javë 77 euro. Në kufi na ka ra me prit 3 orë e gjysmë” ka shtuar ai.

Edhe Sami Morina, mërgimtar nga Zvicra tregon se përkundër viteve të tjera nuk ka pritur më shumë se 1 orë e gjysmë.

“Jo nuk na ka ra shumë me prit madje bash këtë herë jam çudit sa shpejt ka ecur puna, një 1 orë e gjysmë nuk na ka ra ma shumë me prit. Jo askund nuk na kanë lyp përveç këtu që na pyetën nëse jeni të vaksinuar”, ka thënë ai. /kp/Telegrafi/