Torino ka arritur sot (e shtunë) një fitore me rezultat të pastër 2-0 në udhëtim ndaj Udineses në kuadër të javës së 29-të në elitën e futbollit italian.
Golat në këtë takim për Torinon i shënuan Duvan Zapata dhe Nikola Vlasic për t’i dhënë ekipit fitoren e parë pas katër ndeshjeve.
Një ndër më meritorët për këtë fitore të Torinos ishte edhe mbrojtësi kosovar Mërgim Vojvoda, i cili bëri një asistim të mrekullueshëm në golin e parë të shënuar nga Zapata.
Për asistimin e bërë dhe paraqitjen e tij në përgjithësi për këtë ndeshje, Vojvoda u vlerësua me notën 7.8 nga Sofascore.
29-vjeçari kompletoi dy driblime në këtë takim, pati tri pasime kyçe, pesë duele të fituara dhe tri ndërhyrje në top.
Këtë sezon ai nuk ka gjetur hapësirat e duhura nën urdhrat e Ivan Juric, ndonëse jo për shkak të paraqitjeve të dobëta, por për shkak të lëndimeve të shpeshta që e kanë shoqëruar atë këtë sezon.
Kujtojmë se Vojvoda është ftuar nga përzgjedhësi Franco Foda për miqësoret e muajit mars ndaj Armenisë dhe Hungarisë./Telegrafi/