Telegrafi

Mërgim Berisha shkëlqeu me një gol dhe dy asistime ndaj RB Leipzig

Sulmuesi shqiptar, Mërgim Berisha ka bërë një paraqitje brilante në ndeshjen e Augsburgut ndaj RB Leipzig në kuadër të javës së 11-të në Bundesliga.

Augsburgu ishte gati të merrte një fitore të madhe në shtëpi, por në fund u desh të kënaqej me një pikë pas barazimit 3-3.

Vendasit ishin në epërsi prej tri golave, por një karton i kuq në minutën e 66-të ndryshoi gjithë rrjedhën e ndeshjes, me mysafirët që shënuan tri gola deri në fund.

Më meritoni për epërsinë prej tri golave të Augsburgut ishte sulmuesit shqiptar, Mërgim Berisha, i cili bëri një super paraqitje me dy asistime dhe një gol.

Berisha ishte ai që hapi serinë e golave në këtë ndeshje duke shënuar në minutën e 34-të nga penalltia për 1-0.

Sulmuesi shqiptar pastaj asistoi në minutën e 51-të për Ermedin Demirovic që shënoi për 2-0 dhe asistimin e dytë e bëri në minutën e 64-të për Ruben Vargas, i cili çoi shifrat në 3-0.

Megjithatë, Berisha nuk luajti gjithë ndeshjen pasi u zëvendësua në minutën e 74-të me Raphael Framberger.

Deri më tani këtë sezon, sulmuesi nga Kosova ka dy gola dhe katër asistime në Bundesliga. /Telegrafi/