Site icon Telegrafi

Mërgata shqiptare në Maqedoni do të barazohet me votuesit nga Pusteci? (Video)

Mërgata shqiptare rrezikon të bie kurban i pazareve partiake në Përzhino. Mbi 200 mijë votues të dyshimtë, shumica e të cilëve janë shqiptarë janë bërë pjesë e pazareve mes përfaqësuesve të katër partive më të mëdha në vend.

Siç mëson televizioni Shenja nga burime brenda grupeve negociatore, mërgimtarët shqiptarë rrezikojnë të marrin epitetin e votuesve fiktiv dhe të fshihen nga lista e votuesve me qëllim që dy partitë maqedonase të dalin të kënaqura nga marrëveshja e re, OBRM-PDUKM duke mos lejuar fshirjen e votuesve të vërtetë fiktiv dhe LSDM nga ana tjetër të promovojë këtë si arritje të saj para opinionit vendor se megjithatë paska pasur të drejtë dhe janë fshirë votuesit fiktiv.

Siç brifojnë burime nga bisedimet në Përzhino, bëhet fjalë për dy grupe të votuesve, një grup prej 42 mijë të cilët rrezikojnë të fshihen krejtësisht dhe një grup tjetër prej 170 mijë votuesish për të cilët kërkohet të fshihen nga lista kryesore dhe të dalin në listën plotësuese të votuesve.

Në grupin e parë bëhet fjalë për votues të cilët jo vetëm që nuk qëndrojnë momentalisht në Maqedoni, por edhe nuk figurojnë në listat e institucioneve të tjera. Jozyrtarisht në këtë grup pjesa më e madhe janë shqiptarë të cilët janë me punë të përkohshme në diasporë andaj në Maqedoni nuk kanë llogari bankare, nuk paguajnë sigurim shëndetësorë dhe penzional, dhe posedojnë vetëm pasaportë, por jo edhe letërnjoftim. Në grupin e dytë prej rreth 170 mijë votuesve, mërgata shqiptare futet në një grup me maqedonasit nga Shqipëria dhe Kosova të cilët morën nënshtetësi dhe dokumente vetëm gjatë dy cikleve të fundit zgjedhore.

Për këta 170 votues propozohet që të hiqen nga lista qendrore e votuesve dhe të barten në listën e veçantë. Siç dihet edhe nga të dhënat zyrtare se shumica e mërgimtarëve të Maqedonisë janë shqiptarë edhe në këtë listë pritet që shumica e votuesve që do të kalojnë në listën plotësuese të jenë shqiptarë. Nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor, të kontaktuar nga televizioni Shenja, thonë se nuk mund të japin komente mbi propozimet pa i parë me saktësi se për çfarë propozimesh bëhet fjalë.

Nga KSHZ thonë poashtu se votuesit nuk mund të trajtohen në grupe, por duhet shqyrtuar secilin emër veçmas për të parë statusin e tij. Askush nuk mund të fshihet nga lista nëse posedon shtetësi, ndërsa lista plotësuese për diasporën nuk u mer atyre të drejtën, por u mundëson të zgjedhin nëse do të votojnë në diasporë ose në 6 njësitë në vend, sqarojnë nga KSHZ, por shtojnë se për një vendim final listat duhet të shqyrtohen nga ekspertët dhe anëtarët e komisionit.

Partitë shqiptare nuk kanë dal me qëndrim zyrtarë rreth këtij propozimi, por mësohet se ata deri në çastet e fundit kanë mbajtur rezerva. Fati i 200 mijë votuesve, shumica prej tyre shqiptarë do të mësohet gjatë javës së ardhshme kur pritet që partitë të rikthehen në bisedime në Përzhino./Telegrafi/

Exit mobile version