Telegrafi

Mërgata nuk duhet anashkaluar më

Ilustrim

“The last of the Mohican” – filmi që e bazohet në veprën me të njëjtin titull të James Fenimore Cooperit – e përshkruan luftën e superfuqive të shekullit XVII, të Francës dhe të Britanisë së Madhe, për mbizotërimin e Amerikës Veriore, luftë kjo që ndikon pothuajse në shuarjen e fisit të mohikanasve. Për qytetarët e Kosovës, presidenti Joe Biden është epitomi i Mohikanasit të Gundit. Ai është politikani i fundit i një gjenerate që pranoi argumentet e paraqitura nga shqiptaro-amerikanët në fillimin e viteve ’90 të shekullit të kaluar dhe, pasi e vërtetoi gjendjen në terren, e bëri të pamundurën për t’i shkatërruar zinxhirët e hegjemonisë serbe. Rezultatet e komunitetit shqiptaro-amerikan dhe të mërgimtarëve nga të katër skajet e botës, tanimë janë evidente: liria dhe pavarësia u fituan nga të gjithë ne, natyrisht me përkrahjen e pa rezervë të ShBA-së dhe të aleatëve të saj në kontinentin evropian.

Si për ironi, politikanët e qeverive të ndryshme të Kosovës, gjatë dy dekadave të fundit ishin shumë të afta në ruajtjen e pushtetit dhe në praktikimin e politikave të nivelit të mëhallës e, në anën tjetër, e bën të pamundurën për izolimin dhe anashkalimin e kapaciteteve të mërgimtarëve. Krejt kjo në emër të patriotizmit dhe të së drejtës ekskluzive për çlirimin e Atdheut. Kështu, aktivistë të shumtë filluan të merren me familjet e tyre, apo me ndonjë biznes; të tjerët, të dëshpëruar, u mbyllën në botën e tyre duke mos besuar se si disa çlirimtarë brenda natës u shndërruan në hegjemonë.

Ajo çka u bë – u bë. Por, politikanët në Prishtinë duhet që të zgjohen, sepse influenca serbe është në rritje në Uashington; sepse në Uashington zbarkoi Marko Gjuriqi, trashëgimtari i famëkeqit Nikolla Pashiqit. Puna e tij tashmë njihet.

Veprimet e politikanëve në Kosovë, të ngjyrimeve të ndryshme politike, mund të përshkruhen më së miri me veprimet e një zogu australian. Me strucin që e fut kokën rërë kur e sheh rrezikun. Teksa këta politikanë “përbehen” në Amerikë dhe e sulmojnë njëri-tjetrin për “nivelin e ulët të dashurisë” ndaj Uashingtonit, në të njëjtën kohe, për njëzetekatër orë të çdo dite, bëjnë veprime të cilat bien ndesh me idealet dhe filozofinë politike amerikane.

Tashmë epoka e romantizmit patriotik ka kaluar. Edhe investimi i komunitetit shqiptaro-amerikan i viteve 1990 është duke u shterur. Është momenti i fundit që të zgjohet gjiganti politik dhe ekonomik të cilin e posedojnë mërgimtarët në Amerikën Veriore dhe në kontinentet e tjera. Mos të vazhdohet me simbolika folkloriste, por të punohet në arritjen e partneritetit të sinqertë; mos të shikohen me syrin e injorancës milionerët e konsiderueshëm në Amerikë, vetëm se nuk kanë pasur mundësi që të shkollohen; mos të promovohen dhe të dekorohen individët të cilët më së paku kanë kontribuar dhe vepruar në përmbushjen e interesave sublime kombëtare.

Rezervuari i dashurisë ndaj Atdheut të cilën e kanë shqiptarët që jetojnë në ShBA, është i pashtershëm. Ata vazhdimisht janë në veprim dhe punojnë që të mos shpopullohet vendi, si dhe që të institucionalizohet demokracia. Mirëpo, krejt këto veprime janë një pikë në oqean nëse krahasohen me sinkronizimin dhe kanalizimin maksimal të potencialit që posedon ky komunitet.

Për arritjen e këtij synimi duhet të ketë një dialog të mirëfilltë, sinqeritet dhe partneritet. Topi është në fushën e administratës së porsainstaluar në Prishtinë.