Telegrafi

Merdar, ndalohet transporti autotransportuesve të palicencuar

Dushan Todiq, transportues nga Çaglavica i ka thënë radios lokale se inspektorët e trafikut në vendkalimin kufitar në Merdar kanë kthyer mbrapshtë të gjithë transportuesit sepse nuk kanë poseduar licencën e Republikës së Kosovës.
“Na është mohuar liria e lëvizjes. Pas ndërprerjes së sinjalit telefoni, ky është edhe një lloj presioni mbi popullatën serbe dhe porosi se në Kosovë-Metohi nuk ka vend për ta”, ka vlerësuar Todiq.

Ai ka sqaruar se nga autotransportuesit kërkohet të riorientohen në transport të udhëtarëve me autobusë, në mënyrë që të mund të vazhdojnë punën, kurse kjo, sipas tij, nuk është e mundshme.

“Kërkojnë të regjistrojmë firma dhe të paguajmë tatim. Mirëpo, ne nuk kemi mundësi të regjistrohemi pasi nuk disponojmë me nga tre autobusë, sa nevojiten”.
Ai ka shtuar se transportin e deritashëm e kanë bërë me ndihmën e licencave që ua ka lëshuar UNMIK-u, kurse i është thënë se për punën e mëtejshme nevojiten “licenca me vulën e Republikës së Kosovës”.
Sipas rregullave të Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikimeve të Kosovës, e cila lëshon licencat, do të ndalohen edhe nisjet e autobusëve nga Graçanica. Ata duhet të nisen nga Stacioni i autobusëve të Prishtinës.
Si shkruan Blic, në këtë ministri sot nuk ishte askush për të komentuar situatën e re të krijuar.

Si zakonisht, ndaj kësaj ndalese ka reaguar ministri i ngarkuar për Kosovën në qeverinë serbe, Goran Bogdanoviq, i cili ka thënë se “bëhet fjalë edhe për një akt të dhunshëm të institucioneve të përkohshme të Kosovës”. Ai ka kërkuar nga EULEX-i dhe UNMIK-u që “urgjentisht të mundësojnë lirinë e lëvizjes për serbët e Kosovës”.