Telegrafi

Mercedesi i rrallë i vitit 1955, shitet për shifër rekord në një ankand

Një veturë super e rrallë e prodhuar nga Mercedes, e theu rekordin botëror për shitjen e një veture në ankand.

Mercedes Coupe 300 SLR Uhlenhaut i vitit 1955, i cili është vetëm një nga dy prototipat e ndërtuar në atë kohë – u shit me 5 maj në një ankand të fshehtë.

Ky ankand u mbajt në muzeun e Mercedes-Benz në Stuttgart të Gjermanisë, të organizuar në bashkëpunim mes degës së Sotheby në Gjermani dhe auto prodhuesit gjerman, transmeton Telegrafi.

Çmimi i shitjes prej 135 milionë eurosh, e tejkalon për rreth trefish atë të rekordit të kaluar para katër vitesh, i cili u thye nga një Ferrari 250 GTO i vitit 1962 që u shit po ashtu nga kompania RM Sotheby për 45 milionë euro, raporton euronews.

Vetura, e cila ishte në pronësinë e Mercedes-Benz, u shit tek një koleksionist privat dhe shuma e fituar nga kjo shitje do të përdoret për themelimin e një fondi që do t’iu ofroj bursa të rinjve, ku do të mund të mësojnë më shumë në lidhje me shkencat mjedisore dhe de-karbonizimin.

Blerësi pranoj që ta prezantoj veturën për publikun gjatë disa ngjarjeve, përderisa modeli tjetër i kësaj veture do të mbetet në pronësinë e Mercedes-Benzit, të cilët do vazhdojnë ta shfaqin këtë veturë në muzeun e tyre në Stuttgart. /Telegrafi/