Por, cilat modele mund të mbesin jashtë listës
Prodhuesi gjerman Mercedes, e ka rritur numrin e modeleve në masë të madhe dhe duket se po e ka vështirë t’i mbajë, transmeton Telegrafi. Ka shumë SUV, versione kupe të këtyre SUV-ëve, sedan, kupe me katër dyer, AMG, gjysmë AMG dhe crossover – vërtetë shumë.
Gjatë një interviste të dhënë së fundmi, drejtori i përgjithshëm në Mercedes, Dieter Zetsche ka thënë se numri i madh i modeleve, vetëm sa po i habitë blerësit.
Në anën tjetër, bosi i kompanisë dhe drejtori i ardhshëm, Ola Kallenius ka thënë se ‘nuk do të hezitojë’ të largojë disa modele që nuk po shiten.
“Deri në vitin 2022 do t’i kemi 40 modele. Megjithëse i duam të gjitha si ‘fëmijët’ tanë dhe vërtetë i duam, duhet të jemi më racional. Duhet të fillojmë të kursejmë” ka thënë Kallenius.
Pyetja e të gjithëve, do ishte se cilat modele Mercedes po i vlerëson si të tepërta, për t’i lënë përfundimisht jashtë listës së atyre që nuk do hynë më në prodhim.
Mirëpo, nuk është dhënë asnjë përgjigje konkrete, se cilat do largohen, ndërsa pritet të bëhet e ditur në një të ardhme të afërt. /Telegrafi/