Pas rekordit në vitin 2016, kur në gjithë botën shiti rreth 2,1 milionë automobila, Mercedes ka shënuar rritje dyshifrore të shitjes edhe në gjysmën e parë të vitit 2017.
Deri te rezultati më i mirë gjashtëmujor në histori, prodhuesi gjerman i automobilave erdhi pasi që gjatë kësaj periudhe shiti 1.144.274 automjete, me rritje të shitjes prej 13,7% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2016, transmeton KosovaPress.
Evropa edhe më tej mbetet tregu më i madh i Mercedesit, me 484.120 automobila të plasuar, që paraqet rritje 8,9%, me shitje rekorde në Britani të Madhe, Francë, Spanjë, Belgjikë dhe Zvicër. Rajoni aziatik-paqësor është i dyti, pasi në këtë treg janë shitur 438.710 automjete me rritje prej 26,7%. Shitja në Kinë është rritur 34,5%, ndërsa në Korenë Jugore për madje 47,3%.
Në kontinentin veri-amerikan, Mercedes në gjashtë muajt e parë të këtij viti ka shitur 193.399 automobila me rritje të shitjes prej 2,1%. Ndryshe, vetëm në qershor në gjithë botën janë shitur 221.874 Mercedes.