Site icon Telegrafi

Meqë u shtrimë, duhet edhe të mbulohemi

Çdo tërheqje e autoriteteve shtetërore nga veriu, ia rrit apetitet Serbisë mbi Kosovën dhe realisht nënkupton heqje dorë nga sovraniteti i shtetit. E kuptoj fare mirë që nuk është e lehtë për Kosovën dhe pikërisht për kryeministrin e Kosovës të mbajë këtë qëndrim të tanishëm, sepse nuk është aspak e lehtë shtrirja e kushtetutshmërisë në një pjesë e cila është e kontrolluar tani e dymbëdhjetë vite nga Beogradi, e kuptoj edhe trysninë që ia bëjnë ndërkombëtarët, por është rasti i fundit që situata në vend dhe e ardhmja e shtetit të orientohet kah përmirësimi, Çdo shmangie nga kjo, është keqësim i situatës dhe humbje e sovranitetit dhe kushtetutshmërisë.

Realisht populli shqiptar gjatë gjithë historisë është ballafaquar me diskriminime, vuajtje, rrezikim të identitetit e territorit, e gjithçka të keqe. Përkundër të gjitha këtyre padrejtësive dhe trysnive nga okupuesi serb dhe neglizhenca ose mos vullneti ndërkombëtar për të qartësuar dhe zgjidhur çështjen shqiptare në Ballkan, populli ynë gjithmonë qëndroi dhe u bëri ballë të gjitha të këqijave. Thuhet se bisedimet ose, siç thonë tani, dialogu është një mekanizëm nëpërmes të cilit arrihen zgjidhjet, por nuk është thënë se krejt kjo varet me kënd bisedon dhe për çfarë çështjesh bisedon. Nga njëra anë Serbia me çdo kusht aludon të mbrojë një pjesë të Kosovës, gjegjësisht veriun në Mitrovicë, dhe nga ana tjetër Kosova dhe institucionet e saja me të drejtë tani e dymbëdhjetë vite mundohen të shtrijnë autoritetin shtetëror edhe në atë pjesë të kidnapuar të Kosovës pas luftës së fund shekullit të kaluar.

As më shumë e as më pak – shtrirje e Kushtetutshmërisë

Ne e kuptojmë qëllimin dhe qëllimet e gjithëmbarshme të Serbisë mbi Kosovën, por nuk duhet të çuditemi edhe me sjelljet e disa shteteve evropiane karshi ngjarjeve të fundit në Kosovë. Duke u sjellë në mënyrë institucionale, miqësore, në mënyrë permanente edhe në rastet kur na injoronin, tani kthyen anën tjetër të medaljes. Në fakt, me thirrjen dhe dëshirën tonë për të vënë rregull, rend e ligj në vend për shkak të përvojës së tyre të kamotshme, ata u treguan indiferent ndaj vendosjes së rregullit, bile më e keqja edhe deshën të pengonin këtë veprim, për një qëllim, në mënyrë që të mos hidhërojnë Serbinë, ngase gjithmonë kjo e fundit është ndier e përkëdhelur nga bashkësia ndërkombëtare, me pak përjashtime.

Deklarata e Pavarësisë së Kosovës e shkurtit të vitit 2008, dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës, sanksionon integritetin territorial të vendit, si e drejtë legjitime e çdo shteti tjetër të pavarur demokratik dhe sovran. Andaj, sikur shtetet evropiane që kanë përfaqësues në shtetin tonë, ashtu edhe shtetet fqinjë të Kosovës, duhet ta kuptojnë se ngjarjet e fundit në Kosovë dhe rreth saj, nuk aludojnë në asgjë më shumë e as më pak se sa mbrojtje të territorit shtetëror dhe vënie të kushtetutshmërisë në çdo cep të vendit, në mënyrë që të sigurojë stabilitet dhe funksionalitet të mirëfilltë të shtetit. Edhe pse shtrirja e pushtetit edhe në pikat doganore 1 dhe 31 do të duhej të ndodhte shumë më herët, nuk është vonë edhe tani. Misioni i Policisë së Kosovës i ndërmarrë me urdhër të kryeministrit të vendit, është një akt legjitim dhe i domosdoshëm. E them legjitim për faktin se këto dy pika doganore kanë qenë “tharmi” i të gjitha krimeve në Kosovë që kanë ndodhur pas luftës e këndej, sidomos pas pavarësimit të Kosovës, shtet i pavarur dhe sovran.

Dy pikat doganore që sakatuan për dymbëdhjetë vite Kosovën

Nëse marrim për bazë rolin e Bashkësisë Ndërkombëtare dhe mekanizmave që “mbi shohin” pavarësinë dhe institucionet e Kosovës, e kuptojmë se pikërisht ata janë faktorë që është dashur të ngritnin zërin kundër strukturave paralele në vend dhe vënien e kushtetutshmërisë edhe në anën veriore të vendit. Lëre që nuk e kanë bërë këtë, përkundrazi, ua kanë zgjatur jetën këtyre strukturave dhe kanë penguar në vazhdimësi strategjitë e ndryshme që kanë krijuar institucionet e vendit për të shtrirë autoritetin edhe në atë pjesë. Dymbëdhjetë vite radhazi ekonomia e Kosovës është sakatuar pikërisht për shkak të moskontrollit të këtyre dy pikave doganore. Po aq vite Kosova është tkurrur territorialisht dhe politikisht. Janë këto dy pika kufitare nëpër të cilat kanë kaluar pa u vënë re nga shteti i Kosovës edhe liderë serbë, të cilët jo rrallë herë kanë ardhur në veri dhe kanë bërë politika destruktive nëpërmes strukturave paralele që vetë Beogradi i ka krijuar në Kosovë si “karrem” për të destabilizuar situatën politike, ekonomike në vend në mënyrë që imazhi i Kosovës të zbehet karshi mekanizmave ndërkombëtarë.

Veriu i Kosovës është konsideruar si “urë” e cila shërben për gjithçka që shkon në dëm të Kosovës dhe që nuk i takon askujt përveç i kontrabandës dhe si strehim i kriminelëve serbë të angazhuar nga qeveria psikopate serbe.

Unifikimi si faktor që krijon fuqi

Ajo që më bën të ndihem mirë së fundmi është unifikimi i politikës në Kosovës. A ka më mirë se të bëhet diçka në Kosovë dhe katalizatori (në këtë rast kryeministri i Kosovës) i këtij veprimi të përkrahet fuqishëm nga të gjitha partitë politike..? Për Zotin, ka shumë kohë që populli shqiptar i Kosovës nuk e ka përjetuar këtë ndjenjë. Inkurajoj kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, të vazhdojë të ndërmarrë hapa të tillë që shkojnë në dobi të vendit dhe popullit, hapa të cilët krijojnë stabilitet në vend, që reflektojnë sovranitetin e shtetit dhe shtetësisë së Kosovës. Por, kryeministri Thaçi do të duhej të japë urdhër që bisedimet e filluara me Serbinë të ndalen tani, sepse s’ka asnjë arsye të vazhdojnë ato pas ngjarjeve të fundit. Ekipi negociator duhet t’ia përkujtojë Serbisë tani që nuk ka asnjë të drejtë të kërkojë copëtimin e Kosovës, ku kjo e fundit duhet ta dijë se vilajeti i Kosovës kishte mbi dyzet mijë kilometra katrorë, dhe saktësisht okupimi serb e ka ngushtuar territorin e Kosovës në më pak se njëmbëdhjetë mijë kilometra katrorë. Kosova dhe institucionet e saj duhet t’i bëjnë me dije Serbisë se ju mbani tri komunat shqiptare Preshevën, Bujanocin e Medvegjen. Këto komuna nuk ishin të Serbisë, ishin të Kosovës, territor i shtrirë deri në Nish. Andaj, Serbia nuk ka asnjë të drejtë të kërkojë ose bisedojë duke aluduar në ndarjen e Kosovës. Sa është e pa logjikshme, aq më tepër e pamundur.

Çdo kthim mbrapa, nënkupton heqje dorë nga sovraniteti
Tani është koha kur çdo veprim duhet të mendohet qartë dhe kujdesshëm. Institucionet e Kosovës, për asnjë çmim nuk duhet të kthehem mbrapa, pavarësisht trysnive dhe deklaratave të ndryshme që vinë nga qarqe evropiane. Tani e tutje çdo veprim i qeverisë së Kosovës është shumë domethënës për vendin dhe të ardhmen e tij, për të ardhmen e shtetit dhe funksionalitetit të tij. Çdo tërheqje nga kjo, ia rrit apetitet Serbisë mbi Kosovën dhe realisht nënkupton heqje dorë nga sovraniteti i shtetit. E kuptoj fare mirë që nuk është e lehtë për Kosovën dhe pikërisht për kryeministrin e Kosovës të mbajë këtë qëndrim të tanishëm, sepse nuk është aspak e lehtë shtrirja e kushtetutshmërisë në një pjesë e cila është e kontrolluar tani e dymbëdhjetë vite nga Beogradi, e kuptoj edhe trysninë që ia bëjnë ndërkombëtarët, por është rasti i fundit që situata në vend dhe e ardhmja e shtetit të orientohet kah përmirësimi, Çdo shmangie nga kjo, është keqësim i situatës dhe humbje e sovranitetit dhe kushtetutshmërisë.

Sa profesionale, aq e gatshme për t’u flijuar në mbrojtje te vendit

Policia e Kosovë dëshmoi se është në mbrojtje të territorit të Kosovës. PK i tregoi popullit dhe botës së është e gatshme dhe ka kurajë t’i mbrojë kufijtë e shtetit. Krahas kësaj, ajo (PK) dëshmoi se mbron me çdo çmim, edhe me humbje jete rrugën të cilën e trasuan dëshmorët e kombit të cilët dhanë jetën për këtë vend, për këtë popull. Ky aksion, tregoi se institucionet e vendit edhe para disa vitesh kanë mundur të ndërmarrin një hap të tillë, porse politika vendore me mbështetje të asaj ndërkombëtare nuk kanë pasur vullnetin e duhur për të stabilizuar gjendjen në veri. E rëndësishme është se më në fund shteti u ngrit nga gjunjëzimi. Ndërsa vdekja e policit të njësitit special të Kosovës, është një vdekje të cilën të gjithë ne e dëshirojmë.

Përderisa dëshmorët e kombit u flijuan për të çliruar Kosovën dhe për të krijuar shtetin e tyre, polici i Njësisë Speciale të Kosovës, Enver Zymberi, u flijua në mbrojtjen e territorit të shtetit dhe shtrirjen e ligjshmërisë e kushtetutshmërisë në tërë Kosovën, prandaj me të drejt konsiderohet hero i Kosovës.

Exit mobile version