Site icon Telegrafi

Meqë dolëm prej recesionit, pse nuk e ndërtojmë një teleferik për në hënë!?

Njëri po i mban paratë, tjetri kuletën, njëri po vozitet me limuzinë, tjetri nuk po mund dot t’i tubojë paratë për ta blerë një biçikletë, njëri po rren sa të mundet, tjetri po i beson për tej mundësive të tij, dhe njëri po flet dhe krenohet me shifra, tjetri vetëm po i imagjinon ato shifra. Kështu njëherë, babai e kishte mashtruar fëmijën e tij se, kuletën e ka plot, gjë që ashtu edhe ishte, por me kalimin e kohës dhe rritjen e nevojave të fëmijës, doli sheshit se kuleta e babait kishte qenë plotë, por vetëm me kartëvizita dhe letra të thjeshta, ku në mungesë të parave, fëmija i gjorë as në ekskursion me shkollën nuk arriti të shkonte.

Kështu, gjatë këtyre ditëve ministri i Financave e ndezi një kandil, ku tregoi se vendi jonë e kaloi suksesshëm krizën financiare. Ai dhe elita e tij, harruan se në shtetin e ashtuquajtur Maqedoni, kemi pasur vetëm hyrje në krizë ekonomike, financiare, politike, kombëtare dhe sociale, e assesi dalje prej kthetrave të këtyre krizave.

Ministri në fjalë si tregues dhe argument që treguan se shteti e kaloi recesionin, që me automatizëm kuptohet hyrja e shtetit në ekspansion, i përdori disa shifra që vetëm ata e dinë se prej ku i morën. Në momentin kur, ministri i Financave e lajmëroi këtë të arritur teorike, në mënyrë magjike të varfërve që janë shumicë në këtë shtet, iu mbushën pjatat me ushqim të bollshëm dhe vitaminoz, vetvetiu rrugët antike filluan ta humbin natyrshmërinë e tyre, duke kaluar kështu në rrugë post-moderne, standardi jetësor filloi të lulëzoi më shpejtë se gjelbërimi që sinjalizon fillimin e pranverës, dëshpërimi i qytetarëve u kthyen në buzëqeshje, filluam të largohemi prej politikës ditore, filluam të flasim për ecurinë e bursave, për politikën monetare dhe fiskale në vend, tanimë po e njohim vetëm ministrin e ekonomisë dhe të financave, pra të gjithë ministrat tjerë i harruam, por fatkeqësisht kjo kronologji ishte një ëndërr e bukur, por e pabesueshme edhe në ëndërr, ëndërr që dje ma rrëfeu shoku im shumë i dashur.

Kjo ëndërr e bukur na shpalosi një fakt shumë të arsyeshëm, ku për tregues financiar dhe ekonomik domosdoshmërish duhen të merren qytetarët, dhe se çdo tregues tjetër i shprehur në shifra, qartë dhe saktë tregon përfshirjen e tyre në (hiper)inflacion. Si është e mundur që ky vend të del prej recesionit, në kohën kur shumë ndërmarrje po mbyllen, siç ishte rasti me të falimentuarit e Kumanovës, ku përpara Qeverisë protestuan duke gjuajtur me vezë, por pa asnjë efekt, përpos që, tashmë mbetën edhe pa vezë. Për rajonet tjera shqiptare, çdo fjalë është e kotë, ku dihet mirëfilli se ata që moti i kishin harxhuar vezët. Ata nuk e gjuajtën Qeverinë me vezë, por në shenj dëshpërimi dhe sinjali që treguan se dikush nuk ka gjëra elementare për të ngrënë, të gjalla i gëlltitën vezët.

Ndoshta personeli që është në Qeveri, si argument dhe fakt për dalje të vendit nga kthetrat e recesionit, e marrin fillimin e realizimit të “Projektit Shkupi 2014”, duke pohuar se me këtë rast do të angazhohen disa kompani ndërtimore, e të ngjashme. Por, ta pohosh këtë si argument të shëndosh, me të vërtet duhesh të jesh një historian i çmendur pa asnjë këshilltarë ekonomik. Sepse, angazhimi për realizimin e një objekti të vdekur, vlera e të cilit do të jetë vetëm aroma e qelbur, nuk është gjë tjetër pos plaçkitje legale e qytetarëve.

Në ekonomi dhe historikisht, ky investim asnjëherë nuk quhet dhe nuk është quajtur si investim i frytshëm dhe rrjedhës, por investimin në fjalë e hasim vetëm atëherë kur është përkryer shteti në të gjitha aspektet e tij, dhe tek pastaj vjen faza përfundimtare që quhet stilizim i shtetit me figura “interesante” historike, ndërsa objektet që tregojnë vjetërsinë dhe kulturën e një populli të lasht nuk ndërtohet, por mirëmbahen brez pas brezi. Është shumë paradoksale që në vitin 2010 e këndej të ndërtosh objekte, me paratë e popullit të tanishëm, vetëm e vetëm që t’i tregosh botës se edhe ne jemi të lasht, lashtësi e shprehur me objekte të reja, punëtor të ri, financues të ri dhe gënjeshtar të ri.

Pse unë si qytetar i tanishëm të paguaj për ndërtimin e vendbanimit të X personave që nuk i njoh e nuk më kanë njohur!? Piramida e Egjiptit nuk është ndërtuar prej qytetarëve të kësaj kohe, por ajo daton qysh prej kohës së faraonëve, ndërsa qytetarët e kësaj kohë mund të paguajnë vetëm për vizitimin e atyre vendeve atraktive, por jo edhe për ndërtimin e atyre piramidave.

Nuk është sinjal i lulëzimit ekonomik as ndërtimi i teleferikut, që të shpije në kryqin grandioz e provokues, teleferik i cili kushton 6.5 milion euro, kjo është vetëm një shifër e bërë publike, ndërsa ne nuk po hyjmë në pjesën konspirative të shpenzimeve, që pastaj mund të dalim edhe të shastisur. Në këtë rast, natyrat e shifrave për investime të kota dhe të vdekura, dallojnë dukshëm prej shifrave ku tregohet progresi i shtetit, shifra e parë është e mbërthyer me (hiper)deflacion dhe shifra e dytë është e përqafuar me (hiper)inflacion.

Pra, nëse ndërtimi i objekteve që tregojnë vjetërsinë e këtij shteti, nëse ndërtimi i teleferikut që maqedonasit ortodoks i dërgon për ritual fetar dhe kafe laike në kryqin grandioz e provokues, dhe nëse luksin e funksionarëve e marrin si tregues të vërtet ekonomik, atëherë në kuadër të këtyre mashtrimeve dhe ëndrrave, pse vallë Qeveria e këtij shteti nuk po e ndërton, edhe një teleferik ku të shpije në hënë, duke dëshmuar kështu para botes se, maqedonasit kanë hise edhe në hënë, dhe se e kanë prejardhjen prej hënës. Por, këtë vështirë se do ta bëjnë ndonjëherë, nga shkaku se kur ta shohin vetëm gjysmën e hënës, e njëjta i duket gjysmëhënë, simbol ky i muslimanëve. Por, mos të habitemi, nëse një ditë këta i dëgjomë duke thënë se, edhe gjysmëhëna paska qenë kryq, ashtu siç dëgjuam se, edhe nën thundrën e Burmali Xhamisë paska qenë një kishë.

Exit mobile version