Telegrafi

MEPSO Maqedoni me 16 milionë euro investime në rrjetin transmetues

Sistem operatori i transmetimit MEPSO në vitin 2022 ka realizuar 42.48 për qind të planit të përgjithshëm investues, që është dy herë më shumë se përqindja e realizimit të investimeve në vitin 2021. Për vitin e ardhshëm ka një plan më ambicioz dhe planifikon investime vetanake në rrjetin e transmetimit në vlerë prej 16 milionë eurove. “Situata në sistemin e transmetimit të energjisë në përgjithësi e vlerësojmë si të qëndrueshme dhe me devijime minimale ose devijime brenda kufijve të pranueshëm në mënyrë që të mos presim vështirësi në menaxhimin e sistemit. Pritet që i njëjti trend të vazhdojë edhe në të ardhmen”, deklaroi drejtori i përgjithshëm i SHA MEPSO, Orhan Murtezani.

Murtezani theksoi se kërkesën që e ka dorëzuar në Komisionin rregullator për energjetikë dhe shërbime të ujit (KRE) për rritjen e tarifës tramsmetuese për 29.7 për qind nga 1 janari i vitit të ardhshëm është bazuar në çmimet e larta për mbulimin e humbjeve në rrjetin e transmetimit. “Ne tashmë jemi në përfundim të marrëveshjes me EMV me çmim prej 220 euro për megavat orë për të mbuluar humbjet në sistem. Është një çmim mjaft i lartë që ushtron presion mbi tarifën tonë të transmetimit. Ushtrojnë presion nga çmimet e larta të energjisë elektrike për nevojat vetanake të ndërtesës administrative dhe të të gjitha objekteve në pronësi të SHA MEPSO, por edhe dhënia me qira e kapacitetit të bilancit, që realisht bën shumë presion në anën e shpenzimeve”, theksoi Murtezani.

U përpoqëm, shtoi ai, ta mbajmë atë brenda kufijve të pranueshëm pa krijuar rritje më të madhe të çmimit. Sado që të rritet çmimi i tarifës sonë të transmetimit nuk do të ketë ndikim mbi 5 për qind në çmimin e përgjithshëm të energjisë elektrike në vend, thekson Murtezani. Në përgjigjen e pyetjes së gazetarëve, theksoi se në kërkesën për çmim nuk përfshihen borxhet që kompanitë i kanë ndaj MEPSO-s për shkak të tërheqjes së paautorizuar të energjisë elektrike nga sistemi. MEPSO, siç tha ai, aktualisht pranon 10 herë më shumë kërkesa për kyçje në burimet e ripërtëritshme të energjisë – termocentralet fotovoltaike dhe me erë sesa mund të lidhet realisht në sistem dhe të mos ketë problem me balancimin e energjisë.