Telegrafi

Mënyra efikase për ta kontrolluar urinë

Në vijim ju sjellim disa mënyra të pazakonshme për ta kontrolluar urinë.

Ndonjëherë, pa marrë parasysh se sa shumë përpiqemi t’ju përmbahemi këtyre rregullave, urinë thjesht nuk mund ta frenojmë dhe e gjitha që mendojmë është ajo pjesa e fundit e tortës në frigorifer ose qesja me patatina, transmeton koha.net. Nëse nuk keni kohë të mbani një ditar të të ushqyerit dhe ta regjistroni çdo kafshatë që e hani, provoni disa nga truket që ju sjellim, dhe të cilat me siguri do t’ju ndihmojnë për ta mbajtur urinë nën kontroll.

1. Hani një mollë para ushqimit
Vetëm një mollë në ditë para shujtës kryesore mund t’ju ndihmojë që t’i shmangni sulmet e urisë. Studimi i cili përcolli njerëzit që e kanë respektuar këtë këshillë ka treguar se ata mesatarisht kanë konsumuar 187 kalori në ditë më pak sesa ata që nuk kishin ngrënë molla.
Mollët jo vetëm që përmbajnë fije dietetike, por edhe kërkojnë përtypje më të gjatë e cila është dëshmuar që shkakton ngopje.

2. Pini çaj dhe prisni gjysmë ore
Shumica prej nesh nga monotonia, stresi apo emocionet, hamë edhe atëherë kur nuk ndiejmë uri. Provoni që në këto momente në vend se të hani ndonjë biskotë apo ndonjë qese me ushqime jo të shëndetshme, të pini çaj të zi. Studimet kanë treguar se 47 për qind e të anketuarve në këto situata kanë pasur rënie të hormonit kortizol, i cili ndikon në uri. Pini çaj, prisni gjysmë ore dhe në qoftë se pas kësaj ende ndiheni të uritur merrni diçka për të ngrënë.

3. Hani mëngjes mirë
Kapërcimi i mëngjesit mund të duket si një mënyrë e shkëlqyeshme për konsumimin e më pak kalorive në ditë, por shumë studime kanë treguar se kjo është larg nga e vërteta. Një mëngjes i mirë mund të çojë në një ndjenjë të reduktuar të urisë dhe dëshirës për ushqim gjatë ditës. Mëngjesi i pasur me proteina do t’ju mbajë të ngopur për një kohë të gjatë.

4. Zgjidhni me kujdes ushqimin
Jo të gjitha ushqimet janë të njëjta dhe bëni mirë kujdes se si i konsumoni kaloritë. Për shembull, 100 kalori të bollgurit do t’ju ngopin shumë më shumë se 100 kalori të patatinave. Truku është që të gjeni ushqime që do t’ju ngopin më mirë me sasi më të vogla të kalorive. Ushqimi ngopës është ushqimi i pasur me fibra dhe proteina si fasulet, patatet me lëkurë, produktet e arrave, kokoshkat, portokalli dhe supa.

5. Ecni
Kur e ndieni nevojën për ëmbëlsira apo ushqime të pashëndetshme, dilni për një ecje 15 minutash. Një studim ka treguar se njerëzit që kanë ecur përpara se të hanë çokollatë, kanë konsumuar gjysmën e kalorive më pak se ata që nuk kishin ecur.

6. Aromat
Nuhatja e aromave të këndshme mund ta reduktojë urinë, dhe më të mirat janë dëshmuar aromat e portokallit dhe vaniljes sepse ato ndikojnë në dëshirën për ëmbëlsira. Aroma e jaseminit është dëshmuar se redukton dëshirën për çokollatë, ndërsa menta e ndalon plotësisht oreksin. /Telegrafi/