Site icon Telegrafi

Mënyra e duhur për ujitje dhe kujdes të bimëve gjatë dimrit

Ndryshimi i temperaturave dhe klima përgjithësisht e ftohtë shkakton shumë mëdyshje mes dashamirësve të kopshtarisë.

Ata që rrisin bimët vetë në shtëpi ose në kopsht, duhet të tregojnë më shumë kujdes për bimët e tyre në dimër, përkujdesja nis pikërisht me ujitjen.

A duhen ujitur bimët në dimër?

Nëse ju nuk jetoni në vende me ngrica ose reshje të dendura dëbore, atëherë, bimët tuaja kanë nevojë për ujitje shtesë. Kur ato janë në gjendjen e gjumit të dimrit, bimët mbajnë aktive disa prej funksioneve metabolike ndaj kanë nevojë për ujitje, por jo shumë.

Ujitja duhet bërë herët në mëngjes për t’i shpëtuar ngricës dhe për t’i dhënë bimëve kohën e nevojshme deri në mbrëmje. Në mëngjes, uji do të shërbejë si kurth i nxehtësisë dhe do të mbajë pjesën e rrënjës të ngrohtë.

Pemët dhe shkurret e mëdha duhen ujitur në pjesën e boshtit pranë rrënjës ndërsa bimët më të vogla  mund t’i ujisni direkt pranë rrënjës. Sigurohuni që nuk do të hidhni shumë ujë që pjesa e dheut pranë rrënjës të jetë e qullët, duke nxitur kështu kalbjen e rrënjëve. Bimët duhen ujitur kur dheu në sipërfaqe është i thatë dhe nën një temperaturë prej katër gradë. Mundësisht ujitja duhet bërë në ditë pa erë.

Si t’i mbroni bimët nga moti i ftohtë

Ekspertët thonë se së pari, duhet të siguroheni që vazot tuaja të jenë të mbështjella ose me qese plastike ose më mirë akoma, me batanije. Nëse keni mbjellë pemë të vogla, atëherë duhet të dini që ngricat prekin më fort pemët me lëvore me ngjyrë të çelët, shkruan AgroWeb.

Ndaj ju mund të lyeni boshtin e pemës me bojë të bardhë. Sigurohuni që të gjitha vazot tuaja të kenë një sistem të mirë kullimi, në mënyrë që uji të mos ngrijë dhe të dëmtojë rrënjët e bimëve. Nëse temperaturat janë shumë të ulëta, atëherë vazot duhet t’i mbani sa më shumë brenda por të siguroheni që janë në një vend të ndriçuar mirë.

Nëse nuk keni vend në shtëpi, atëherë vazot duhet t’i mbani pranë njëra tjetrës, t’i mbuloni mirë por edhe të krijoni mburoja artificiale kundër erës së ftohtë. Një e tillë mund të krijohet me kornizën prej druri të një dritareje të vjetër, të cilën mund ta vishni me gjethe dhe më pas ta mbështesni sipër vazove tuaja për t’i mbrojtur ato nga ngricat

Exit mobile version