Ervin Qafmolla
Lajmet, intervistat, reportazhet më të këqija që mund t’i lexosh në mediat shqipfolëse, sidomos në Shqipëri, janë ato që mbulojnë kulturën. Në pjesën dërrmuese të rasteve bëhet gazetari e njëanshme, ku mbizotërojnë superlativat. Për më tepër, këto superlativa janë zakonisht tarallake dhe të inflacionuara apo thjesht gabim: i jashtëzakonshëm, i mrekullueshëm, i shkëlqyer, magjik, unik, unikal etj.
Kur nuk ka superlativa, përdoren mbiemra përgëzues. Titujt shabllon me fund të lumtur pa nisur ende artikulli janë tjetër veçori i kësaj gazetarie. Në pjesën më të madhe të artikujve nga kultura, nuk gjen as përdorimin e duhur të 5 W-ve + 1 H. Kush, Çfarë, Ku, Kur, Pse, Si – pyetjet themelore të gazetarisë – kanë rëndësi krejt dytësore përballë hartimit universal, me harbimet e pikëllimet e veta të vockla.
Situata bëhet edhe më argëtuese kur sheh raportimet përkatëse në TV. Përveç makabriteteve të zakonshme profesionale, produkti final këtu, pasurohet jo vetëm me pamje, por edhe me zë prekës që lexon me ndjeshmërinë e një zemërthyerje erotike hartimin e radhës.
Këtu nuk po flasim për përjashtimet, por për shumicën, normën, rregullin. Jam fort i bindur sepse kam njohur disa gazetarë kulture që përfaqësojnë përjashtime të lumtura nga rregulli. Ende nuk kam njohur personalisht ndonjë redaktor që nuk lejon të shthuret sektori i gazetarisë në fjalë, por jam i bindur që ka. Ndaj ka ende shpresë.
Një pjesë e konsiderueshme e gazetarëve të kulturës në Shqipëri mund të jenë të lexuar, si dhe mund të kenë parë disa filma të mirë. Por mbeten në pjesën më të madhe, të pakulturuar. Nuk njohin muzikën, kinemanë dhe etapat e rëndësishme të qytetërimeve në botë. Nuk dinë të bëjnë një reportazh të pranueshëm nga një festival roku, ndërsa kuptimi tyre i rokut kufizohet te pordhët skenike të ndonjë ylli të perënduar shqiptar apo te zëri dikur i hollë i ndonjë centauri anglez, të cilit ndërkohë edhe sifilizi i është plakur.
Ah, po… kanë dëgjuar Shubertin dhe Prokofievin, por nuk e kanë haberin se cilët janë klasikët më bashkëkohorë, si The Cure, Morphine, Ali Farka Toure, Ravi Shankar, Herbie Hancock, Brad Mehldau, Joao Gilberto, Paco de Lucia, Fela Kuti apo dhe Daft Punk. Të mos flasësh për muzikantë të tjerë nga rryma më ‘sfiduese’. Muzikë klasike moderne-minimale? Ndonjërit mund t’ia ketë kapur veshi Avro Part, por kaq.
Po kultura e filozofia e vendeve e Lindjes dhe Afrikës? Kanë lexuar ndonjë libër, por nuk kanë pasur qoftë edhe një çast të shkurtër shikimi në thellësi. Persia? Kanë lexuar ca poezi të Rumit dhe Kajamit dhe kanë parë ndonjë film nga Kiarostami apo Farhadi. (Ka nga ata që të gjithë përvojën perse e barazojnë me foton e Ajetullah Komeinit.) Kina? Hm… Dhe çfarë mendimi kemi për Etiopinë? Hmm…
As artin dhe kulturën klasike europiane, në fakt, nuk e njohin. Nuk do ta dallonin dot një Mikelanxhelo nga një Botiçeli, për shembull, apo një pjesë të Hajden nga një të Handel.
Por, mangësitë më dramatike i vëren te formimi i përgjithshëm i kulturës popullore universale. Si është zhvilluar historia e të ashtuquajturit konflikt Izrael-Palestinë? Cilat janë efektet pozitive dhe negative të kontraceptivëve oralë, dhe pse nuk përdoren nga meshkujt? Ku ndodhet Andorra? A është LSD e dëmshme? A praktikohej seksi oral në Europë gjatë mesjetës? Si funksionon vendimmarrja në OKB? A është italianizuar tërësisht muzika e arbëreshëve të Italisë apo disa motive kanë mbijetuar? Cili është më i dëmshëm, gjalpi apo margarina? Pse standardi gjuhësor i Elbasanit u rrëzua? Kur e humbi Enver Hoxha virgjërinë? Çfarë është Bitcoin?
Përtej formimit të dobët kulturor e njerëzor, i cili medoemos ndikon te cilësia e gazetarisë së kulturës në Shqipëri, problemi themelor mbeten standardet etike dhe profesionale të raportimit të paanshëm. Dhe këtu faji nuk është thjesht i gazetarëve si profesionistë individualë, por i krejt kulturës mediatike që diktoi përzgjedhjen e tyre te “stacioni i trenit, me valixhe druri”, që ua ka mbyllur gojën për të mos kritikuar (sepse tenderi vjen kryesisht nga fërkimet me politikën konvencionale, jo me kulturën), dhe që përcaktoi se zakonisht, më i paafti i redaksisë do mbulojë kulturën.
I gjithë ky model i shpërfilljes së standardeve profesionale, budallëkut të imponuar, diskriminimit gjinor dhe atij intelektual, ka krijuar një mjedis toksik ku mediokriteti qarkullon si sëmundje ngjitëse dhe burimet njerëzore të sektorit përbëhen më së shumti nga pjeshka televizive të të gjitha gjinive, nga melankolikë pseudodepresivë me shalle e kësula franceze, apo ruralë me pantallona të ngushta që u rrinë keq dhe që synojnë të bëhen një ditë si Adi Krasta.
Si rrjedhojë dhe me ndonjë përjashtim të rrallë, shumica e gazetarisë së kulturës raporton vetëm për suksese e mrekulli. Nëse beson çfarë raportohet, arti dhe kultura shqiptare është një diamant i ndritshëm në kurorën e projektorëve të botës. Sepse në Shqipëri nuk prodhohen filma të këqij, shfaqje të dobëta teatrale, festivale mjerane, opera ku stonohet lirshëm dhe spektakle ku i thuren himne idiotësisë kombëtare – pornografi e pavullnetshme pa asnjë grimë nudizmi. Ka vetëm prodhime të hatashme, magjike, spektakolare dhe “unikale”.
Ky është modeli i përligjur i riciklimit të mediokritetit, ku gazetarë dhe redaktorë, bashkërisht investojnë dhe çimentojnë çdo ditë një monument ciklopik të paaftësisë dhe dështimit spektakolar. Pakkush shqetësohet që “kultura” sot është i vetmi sektor i gazetarisë ku standardet bazë të gazetarisë nuk përdoren. Pakkush bezdiset nga fakti që shumë prej profesionistëve të kësaj gazetarie janë shndërruar në një batalion puthaduardh e puthab*thësh.
Dhe thuajse askush nuk alarmohet që Shqipëria sot prodhon shumë pak art dhe kulturë. Në vend të këtyre, publikohet patizëm pa hesap.