Telegrafi

Mentor Shala: Politika po e lë Kosovën jashtë Eurovizionit

Me fitoren e Portugalisë këtë vit në Festivalin Evropian të Këngës – Eurovizion, gjasat që Kosova të debutojë në garën e madhe muzikore fillimisht u menduan si të mëdha.

Megjithatë duket sikur për Transmetuesin Evropian EBU, Kosova prapë nuk do të mund të jetë pjesë e Eurovizionit. Mentor Shala nga Radio Televizioni i Kosovës ka folur sot për EscToday, duke treguar se fillimisht EBU ka thënë që Kosova nuk mund të marrë pjesë në Eurovizion pasi Ukraina – vendi që e mirëpriti këtë vit garën, nuk e njeh pavarësinë e shtetit. Megjithatë, me Portugalinë si nikoqir dalin probleme tjera.

Lexo po ashtu Kosova mund të marrë pjesë në "Eurovision 2018" nëse merr ftesë nga Portugalia (Foto)

“Së fundmi një letër nga EBU thotë se Kosova nuk mund të jetë pjesë e Eurovizionit pasi nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara. Është absurd fakti që nuk mund të jemi në Eurovizion edhe pasi Kosova është pjesë e UEFA, FIFA, ABU, FIBA. Një organizatë jo-politike si EBU po përdorë politikën për ta lënë Kosovën jashtë garës” i ka thënë Mentor Shala – Drejtor Gjeneral i RTK-së, EscToday.

“E dimë se Kosova nuk mund të pranohet si anëtar i EBU-së pa qenë pjesë e Kombeve të Bashkuara por krejt çka duam është pjesëmarrja në ESC – në Eurovision Song Contest” vazhdon deklarata e Shalës.

Lexo po ashtu Kosova në "Eurovision", çështja e mbetur peng që lë prapa artin kosovar (Foto)

Kosova ende nuk ka debutuar në këtë festival dhe duket se do të kalojë kohë e gjatë deri në ngjitjen e këngëtarëve kosovarë në këtë skenë. Rona Nishliu nga Kosova e përfaqësoi Shqipërinë në këtë garë në vitin 2012-të.

Eurovizioni mbahet me 8,10 e 12 maj 2018-të në Lisbonë të Portugalisë.  /KultPlus/