Me fitoren e Portugalisë këtë vit në Festivalin Evropian të Këngës – Eurovizion, gjasat që Kosova të debutojë në garën e madhe muzikore fillimisht u menduan si të mëdha.
Megjithatë duket sikur për Transmetuesin Evropian EBU, Kosova prapë nuk do të mund të jetë pjesë e Eurovizionit. Mentor Shala nga Radio Televizioni i Kosovës ka folur sot për EscToday, duke treguar se fillimisht EBU ka thënë që Kosova nuk mund të marrë pjesë në Eurovizion pasi Ukraina – vendi që e mirëpriti këtë vit garën, nuk e njeh pavarësinë e shtetit. Megjithatë, me Portugalinë si nikoqir dalin probleme tjera.
“Së fundmi një letër nga EBU thotë se Kosova nuk mund të jetë pjesë e Eurovizionit pasi nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara. Është absurd fakti që nuk mund të jemi në Eurovizion edhe pasi Kosova është pjesë e UEFA, FIFA, ABU, FIBA. Një organizatë jo-politike si EBU po përdorë politikën për ta lënë Kosovën jashtë garës” i ka thënë Mentor Shala – Drejtor Gjeneral i RTK-së, EscToday.
“E dimë se Kosova nuk mund të pranohet si anëtar i EBU-së pa qenë pjesë e Kombeve të Bashkuara por krejt çka duam është pjesëmarrja në ESC – në Eurovision Song Contest” vazhdon deklarata e Shalës.
Kosova ende nuk ka debutuar në këtë festival dhe duket se do të kalojë kohë e gjatë deri në ngjitjen e këngëtarëve kosovarë në këtë skenë. Rona Nishliu nga Kosova e përfaqësoi Shqipërinë në këtë garë në vitin 2012-të.
Eurovizioni mbahet me 8,10 e 12 maj 2018-të në Lisbonë të Portugalisë. /KultPlus/