Site icon Telegrafi

Mentaliteti elitar i Ronaldos tregon se me të në fushë është gjithçka e mundur – Porto në ankth

Pasi humbën në ndeshjen e parë 2-1 në udhëtim te Porto, Critistiano Ronaldo së bashku me bashkëlojtarët e tij te Juventusi, duhet të përmbysin rezultatin sonte (e marte).

Golat nga Mehdi Taremi dhe Moussa Marega, e kaluan skuadrën portugeze në epërsi prej dy golash në Stadio Do Dragao në muajin e kaluar, derisa Federico Chiesa e ngushtoi epërsinë e vendasve.

Dy skuadrat do të takohen sonte në Torino dhe Ronaldo është i etur që ta dërgojë skuadrën e tij në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

Legjenda portugeze kaloi te Juventusi në mënyrë që t’i ndihmonte që ta fitonin garën më të madhe për klube, gjë që nuk e kanë bërë që nga viti 1996.

Natyrisht se me 36-vjeçarin në fushë, është gjithçka e mundur për Biankonerët, që do të kërkojnë me çdo kusht fitoren.

Tashmë tifozët kanë arritur të shohin një mentalitet elitar nga pesë herë fituesi i Topit të Artë, pasi në vitin 2019 ata përmbysën rezultatin përballë Atletico Madridit.

Skuadra italiane ishte duke humbur 2-0 ndaj Los Rojiblancos, mirëpo një het-trik nga Ronaldo, bëri që ata të kalonin në çerekfinale.

Ronaldo gjithashtu i dërgoi ish-shokut të tij të skuadrës në Manchester United, Patrice Evra, mesazhin vijues në WhatsApp: “Ne do të kalojmë tutje vëlla. Në shtëpi i shkatërrojmë ata”.

Pamjet nga tuneli treguan se ai motivonte shokët e tij të skuadrës, duke i ngulitur besimin se ata do të përfundonin punën. /Telegrafi/

Exit mobile version