Site icon Telegrafi

Mentalitet bërlloku, Kosova në bërllok!

Ndotja e ambientit në Kosovë, sipas mediave të shkruara dhe elektronike, nga kompanitë industriale është disa herë më e lartë se gjendja normale. Bile, konsiderohet se ndotja e ambientit në vendin tonë është më e larta në Evropë. Definitivisht një gjendje e tillë është për t’u brengosur.

Përveç kompanive industriale, ambientin është duke u ndotur edhe nga vet qytetarët e Kosovës! Kjo, e dyta, është duke më brengosur shumë, duke pas parasysh që ekskluzivisht ka të bëj me mentalitetin tonë si shoqëri.

Fatkeqësisht, ambienti në qytetet e Kosovës është në gjendje të mjerueshme. A thua kush është fajtor për një gjendje të tillë? Ne, shqiptarët, kemi qenë gjithmonë krenarë me pastërtinë të cilën e kemi mbajtur brenda në shtëpitë dhe banesat tona, por me ambientin e jashtëm nuk jemi për t’u krenuar, sidomos në qytetet tona, ku secili i thotë vetit “qytetar”.

Qytetarë po, por a jemi të qytetëruar? Sa jemi të sigurt se kemi ambient të pastër brenda në shtëpitë e banesat tona, derisa ambientin e jashtëm e kemi plot bërllok?

Se a jemi të qytetëruar është goxha vështirë të përgjigjemi, duke pasur parasysh gjendjen aktuale të ambientit tonë, ambientit që na rrethon, aty ku jetojmë, aty ku frymojmë çdo ditë. Jemi dëshmitarë të një katrahure të vërtet të ambientit që na rrethon në vendet urbane, në tërë Kosovën. Bërlloku na ka kapluar si në rrugë, në parqe, para hyrjes së banesave e shtëpive, në bodrume të banesave, në qoshe të ndërtesave kolektive, hapësirën e spitaleve e ambulancave, shkollës, afër çdo institucioni publik apo privat.

Është interesant se po të bisedohej me shumicën e qytetarëve lidhur me ambientin e mbushur me bërllok, ata (qytetarët) do të përgjigjen në këtë mënyrë: unë jam i edukuar, i arsimuar, i kulturuar jam qytetar i vjetër këtu, unë nuk e bëj një gjë të tillë, unë ta hedh bërllokun vend e pavend, kurrsesi, nuk vjen në shprehje, sepse ajo nuk është kulturë, atë e bëjnë vetëm ata të cilët janë të pa edukuar, të pa arsimuar, të pa kulturuar etj.! Atëherë, përsëri e parashtroj pyetjen e lartcekur: kush është shkaktarë i krijimit të një ambienti me bërllok?

Me siguri jashtëtokësorët! Ngase unë jo; ti jo; ai ose ajo jo; ne jo; ju jo; ata ose ato jo; institucioni që është përgjegjës për mirëmbajtje jo…! Me siguri jashtëtokësorët!. Çudi e madhe! Prandaj, është mirë të mos flemë edhe natën, që t’i zbulojmë nga cili planet janë këta që janë duke na shkatërruar ambientin tonë! Po them jashtëtokësorët, sepse të gjithë qenkemi dashamirës të ambientit të pastër, dhe se, ne nuk qenkemi shkaktarë të një ambient të tillë!

Absolutisht, nuk janë shkaktarë jashtëtokësorët, sepse nuk besoj që jashtëtokësorët janë të interesuar të jetojnë në Kosovë Bile dyshoj që e dinë se ekziston Kosova. Por, edhe ta kishin ditur, jam i sigurt që nuk do të kishin dëshiruar të jetojnë në ambient të tillë të ndotur në “katrorë”( nga kompanitë industriale dhe nga qytetarët).

Prandaj, përsëri e parashtroj pyetjen: kush është fajtor për një ambient të tillë?! Apo, mund të përgjigjemi që faji është jetim?. Jo. Sepse, jam i sigurt se faji nuk është jetim, ngase fajtorë jemi ne qytetarët e Kosovës, duke mos i anashkaluar institucionet përgjegjëse që merren me mirëmbajtjen e ambientit. Mendoj se ne si qytetarë i kemi fajet më shumë, duke pasur parasysh vetëdijen e ultë qe jemi duke treguar me ambientin ku jetojmë.

Ne jemi ata që hedhim bërllok: nga banesat, nga automjetet në lëvizje, duke shkuar në punë, në shkollë, në shëtitje, bile-bile edhe kur të dalim për të blerë gjëra të ndryshme etj.

Është një pjesë e vogël e qytetarëve të cilët janë të ndërgjegjshëm, e të cilët janë duke pësuar nga vetëdija e ulet e shumicës së qytetarëve.

Mandej, nuk marrim iniciativë për ta pastruar ambientin në vendin ku jetojmë. Bile se paku t’ia kushtojmë një orë një herë në muaj gjatë vikendeve. Lëre që nuk marrim iniciativë, por jemi dëshmitarë se kur është marrë ndonjë iniciativë shumë e rrallë nga ndonjë organizatë joqeveritare apo nga ndonjë qytetarë i qytetëruar dhe i ndërgjegjshëm, janë ata qytetarët të edukuar, të arsimuar, të kulturuar, që nuk i janë bashkangjitur aksionit E kanë injoruar atë, duke u fshehur pas perdeve të banesave dhe të shtëpive të tyre.

Dikush mund të thotë se institucionet janë përgjegjëse respektivisht kompanitë e higjienoteknike, sepse paguhen për ta mirëmbajtur ambientin. Dikush tjetër thotë se nuk ka kontejnerë të mjaftueshëm dhe se institucionet janë fajtore. Ndoshta, sepse edhe këto pak e hiq kanë investuar në këtë drejtim. Por, nuk jam i befasuar as nga institucionet, sepse edhe këto i takojnë të njëjtit mentalitet qytetarë.

Mendoj se punëtorët rregullisht e pastrojnë ambientin aq sa kanë mundësi p. sh.: në qytetin e Kastriotit, ku edhe jetoj, rregullisht i pastrojnë kontejnerët. Por, janë një numër i qytetarëve të cilët shkaktojnë kaos në ambient duke hedhur bërllok vend e pavend, nga banesat e tyre pa zbritur fare në tokë, nga përtacia, injoranca dhe vetëdija e ultë (e që shumica e tyre nuk i paguajnë obligimet e tyre ndaj kompanisë së mirëmbajtjes). Ata nuk pranojnë as kontejner afër ndërtesave të tyre, ngase arsyetohen se iu vjen era e keqe, e në anën tjetër e hedhin bërllokun para hyrjeve të ndërtesave të tjera duke krijuar kështu deponi vetëm brenda dymbëdhjetë orëve.

Sinqerisht, ne po vuajmë nga veprimet e tilla të paarsyeshme dhe të pamoralshme. Lëre që nuk ju bënë përshtypje për të keq një ambient i mbushur me bërllok, por japin kontribut duke hedhur bërllok, sikurse nuk ka ndodhur asgjë dhe se gjithçka është normale! Veprimet e tilla lirisht mund të them se e kanë një emërues të përbashkët të quajtur krim. Besoj, që e njëjta situatë mbretëron edhe në qytetet tjera të vendit tonë!

Në anën tjetër, mendoj se shumica e qytetarëve nuk paguajnë obligimet e tyre ndaj institucionit përkatës që mbledh bërllokun para dyerve tona. E, si është e mundur që punëtorët e këtyre institucioneve ta kenë vullnetin për ta pastruar ambientin kur qytetarët nuk paguajnë për shërbimet e tyre?! Vallë, kush ua jep pagat dhe si? Si jetojnë këta punëtorët dhe familjet e tyre?

Ndoshta na kapluar injoranca, përtacia e kotësia, e nuk jemi duke parë ku jemi! Ky mentalitet na ka sjellë në një ambient me bollëk bërllok, deri në fyt. Në këtë ambient njerëzit çekuilibrohen emocionalisht dhe psikikisht. Ky ambient shkakton izolim apo vetburgosje. Ambient ku njerëzit stresohen dhe sëmuren.

Kam frikë se fëmijët tanë jemi duke i edukuar në të njëjtin mentalitet. Kjo do të ishte fatale për ardhmërinë e shtetit tonë.

Derisa nuk vetëdijesohemi që ambientin e jashtëm ta respektojmë si atë brenda në shtëpi, dyshoj se jemi duke e mashtruar vetveten se pastërtia në shtëpitë e banesat tona është në nivelin e duhur.

Mentalitet bërlloku! Ambienti me bërllok! Kosova në bërllok!
 

Exit mobile version