Kryetari i Komitetit për Punë të Jashtme të Senatit amerikan, Bob Menendez, është shprehur i shqetësuar se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, mund të çojë në formimin e një Republika Srpska.
I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar u paraqit të mërkurën para Nënkomitetit për Punë të Jashtme të Senatit amerikan, ku foli për angazhimin dhe strategjinë e Washingtonit në Ballkanin Perëndimor.
Gjatë kësaj paraqitjeje pati debate edhe për Kosovën dhe dialogun në përgjithësi.
Kryetari i Komitetit për Punë të Jashtme të Senatit të SHBA-së, Bob Menendez, që është një mik i shqiptarëve, kritikoi Escobarin për presionin që po i bëhet Kosovës me Asociacionin.
“Ju po i bëni presion Kosovës që të implementoj një Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, përkundër faktit që Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur disa pa përputhshmëri të marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013 për këtë asociacion. Unë mendoj se kjo nuk duhet të ndodhë. Nuk duhet të bëjmë edhe një tjetër Republika Srpska, dhe nuk duhet assesi të dëmtojmë sovranitetin e Kosovës… Përkundrazi presioni duhet të jetë mbi Serbinë që të njohë pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës”.
Nga ana tjetër Escobar tha se mendon që kjo gjë nuk do të ndodhë.
“Ne e mbështesim krijimin e Asociacionit për shumë arsye. E para është se për të palët veçse janë pajtuar. Edhe pse Gjykata Kushtetuese ka thënë se disa pjesë nuk kanë qenë në përputhje me Kushtetutën, nuk ka thënë se vetë Asociacioni është jo kushtetues. Në kontekstin e dialogut, është në dorën e Kosovës dhe Serbisë që të vendosin se si do të dukej. Nuk duhet të jetë, dhe sigurisht ne nuk duam që të jetë i ngjashëm me Republika Sërpskan, por ne i kemi bërë thirrje, dhe homologu im Lajçak i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës të shikojë modelet që ata besojnë se mund të jenë të përshtatshme që nuk do të minojnë sovranitetin dhe funksionalitetin e tyre”, deklaroi Escobar.
Bob Menendez është mik i madh i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane.
Ndërkaq, deklaratën e Menendez e shpërndau deputeti i LDK-së Faton Bislimi, në llogarinë e tij në Facebook.
Ai tha se kjo meritë është e Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe lobim që shpëton Kosovën.
“Ky është suksesi i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane. Ky është lobimi që shpëton Kosovën dhe kjo është mënyra e fitores në Capitol Hill, tash e mbi tri dekada! Shiqoni deklaratën e Senatorit Menendez, Kryetar i Komitetit për Punë të Jashtme të Senatit të SHBA-ve, dhe mik i cmuar i Ligës sonë”, shkroi Bislimi.
Çfarë parasheh Marrëveshja e Brukselit për Asociacionin?
Në Marrëveshjen e parë të Brukselit, të vitit 2013, për parimet që rregullojnë marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, gjashtë pikat e para i referohen Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Në atë marrëveshje është e shkruar që ky Asociacion do të themelohet në bazë të statutit dhe se shpërbërja e tij mund të bëhet vetëm me vendim të komunave pjesëmarrëse.
Dy vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes së parë të Brukselit, Kosova dhe Serbia nënshkruan gjithashtu një marrëveshje për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, e cila harmonizoi parimet e përgjithshme dhe elementet kyçe.
Marrëveshja e vitit 2015 përbëhet nga 22 pika, të cilat specifikojnë kornizën ligjore, qëllimet, strukturën organizative, marrëdhëniet me autoritetet qendrore, buxhetin dhe mbështetjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Kjo marrëveshje parasheh që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të themelohet siç është paraparë në Marrëveshjen e parë, me Ligjin për ratifikimin e marrëveshjes së parë dhe ligjet e Kosovës.
Disa prej qëllimeve përmenden se janë: forcimi i demokracisë lokale; kryerja e mbikëqyrjes së plotë për zhvillimin e ekonomisë vendore; kryerja e mbikëqyrjes së plotë në fushën e arsimit; kryerja e mbikëqyrjes së plotë në kujdesin parësor dhe dytësor shëndetësor dhe social; kryerja e mbikëqyrjes së plotë në koordinimin e planifikimit urban dhe rural; ofrimi i shërbimeve për anëtarët e saj në përputhje me ligjet e Kosovës.
Sipas Marrëveshjes së Brukselit, Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të ketë një Kuvend, një kryetar që përfaqëson Asociacionin para autoriteteve qendrore dhe jashtë Kosovës, një zëvendëskryetar, një këshill, një bord, një administratë, një zyrë për ankesa, ndërkaq që do të duhej të përcaktohej me statut.
Çështja kryesore në lidhje me themelimin e Asociacionit është ajo e kompetencave të saj.
Në dhjetor të vitit 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës konstatoi se këto parime për Asociacionin nuk ishin plotësisht në harmoni me frymën e Kushtetutës, të përmendur në nenin 3, për “barazinë para ligjit” dhe kapitujt “të drejtat dhe liritë themelore”, si dhe “të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre”.
Me këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese ishte përcaktuar se Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të themelohet ashtu siç e parasheh Marrëveshja e parë e Brukselit, e ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës./Telegrafi/