Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) dhe lideri i saj Menduh Thaçi në komunën e Tearcës kanë vazhduar me programin e takimeve me strukturat e partisë në këtë komunë, njofton Telegrafi Maqedoni.
Në këto takime kanë folur krerët më të lartë të saj, duke shpalosur qëndrimet e partisë lidhur me zhvillimet aktuale para zgjedhjeve të 11 dhjetorit.
Kreu i PDSH-së Menduh Thaçi në këtë bashkëbisedim mes tjerash deklaroi se fushatën e tyre e fillojnë me argumente të vjetra, pasi që pushtetarët nuk kanë realizuar asgjë.
“Kemi nisur fushatën tonë me argumentet e vjetra për shkak se këta të cilët janë në pushtet asgjë nuk kanë realizuar, prandaj konsiderojmë se fajtorë kryesorë për këtë situatë të rëndë në të cilën gjenden shqiptarët janë BDI-ja.”
Në lidhje me të drejtat e shqiptarëve, Thaçi ka përmendur rastin e popullsisë së Zvicrës dhe atë të bosnjës.
”Edhe pse platforma jonë është shumë e qartë e drejtë dhe e pastër, herë pas here na thuhet në teren se nuk e dimë se çfarë kërkojmë. Ne ua bëjmë të ditur edhe atyre, normalisht dhe maqedonasve dhe bashkësisë ndërkombëtare se PDSH nuk kërkon asgjë më shumë se sa të drejtat që i kanë popujt tjerë të civilizuar në shtetet e Evropës, e marrë shembull Kroatët në Bosnjë janë vetëm 11 %, por i gëzojnë të drejtat njëjta si i gëzojnë Serbët dhe Boshnjakët, Italianët në Zvicër mund të jenë 4 ose 5%, por i gëzojnë të gjitha të drejtat si i gëzon edhe vet populli Zvicëran, kjo është platformë e Partisë Demokratike Shqiptare.”
Menduh Thaçi është ndalur edhe te çështja e ndarjes së buxhetit, duke kërkuar kthim të tatimeve, ngjashëm siç, sipas tij, veprohet në lindje të Maqedonisë, ndërkaq shtoi se të gjitha çështjet do të realizohen nëse PDSH-ja do ta merr pushtetin./Telegrafi/