Kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi, sot në selinë e partisë në Tetovë ka mbajtur fjalim vjetor, në të cilin ka folur për situatën politike dhe marrëdhëniet në shtet dhe rajon.
Në fjalimin e tij Thaçi u shpreh se viti 2018 ka qenë vit i rëndë si edhe shumë vite më parë, por për dallim prej viteve të tjera sipas tij, Marrëveshja e Prespës dha shpresë se Maqedonia ndodhet në rrugë të drejtë, njofton Telegrafi Maqedoni.
“Paraprakisht ne ishim të bllokuar pa perspektivë dhe jonfuksionalitete ndërsa tani në Marrëveshjen e Prespës ekzistojnë mundësi për zhvillim dhe perspektivë. Pres se shumë shpejtë përmes realizimit të obligimeve të Marrëveshjes së Prespës me ndryshimet kushtetuese ajo të ratifikohet. Pres e njëjta të bëhet edhe nga pala greke me çka do të hapet rruga jonë drejt BE-së dhe NATO-s”, tha Thaçi.
Lidhur me gjendjet në rajon ai theksoi se pret që vitin e ardhshëm negociatat midis Kosovës dhe Serbisë të hyjnë në fazë përfundimtare dhe Serbia ta njohë Kosovën me çka do ta fitojë të drejtën të bëhet pjesë e të gjitha organizatave ndërkombëtare.
Ndërsa lidhur me gjendjet në shtet në ekonomi dhe të drejtat e shqiptarëve, Thaçi tha se edhe pse shumicës u duket sikur ka ngecje ekonomike dhe nuk ka zhvillim të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, dy gjendjet lidhen me procesin e anëtarësimit në BE dhe në NATO, ndërsa me atë të dyja do të kenë zhvillimin e tyre vitin e ardhshëm./Telegrafi/