Gjithçka ishte bërë gati që trupi i tajlandezes Pinij Sopajorn, 70-vjeçe, të digjet.
Afishet ishin shpërndarë, familjarët dhe miqtë po qëndronin rreth saj, por në një moment para se trupi i saj të digjej, pasoi shoku – “e ndjera” doli të jetë gjallë, transmeton Telegrafi.
Sopajorn që vuante nga një sëmundje e rrallë, kishte “vdekur” në spital më 20 tetor, kurse mjekja ua kishte lejuar familjarëve që ta marrin trupin e saj dhe të organizojnë ceremoninë e varrimit.
Tri ditët e ardhshme ajo i kaloi në frigorifer, duke pritur që trupi i “pajetë” të digjet. E nga aty trupi i saj ishte dërguar në vendin ku ishte planifikuar të digjet.
Disa minuta para se të fillonte ceremonia, bashkëshorti i saj Tavin Sopajorn, 73-vjeç, kishte kryer ritin tradicional duke ia pastruar fytyrën me leckë. Aty e kuptoi se ajo po merrte frymë dhe se po i lëvizte kapakët e syve.
“Pasi nuk merrte më frymë të dielën e vendosëm në arkivol, por vazhdimisht habitesha sesi trupi i saj nuk ishte forcuar. Pastrova trupin e saj dhe vazhdonte të ishte i freskët. E gjatë ceremonisë, isha personi i fundit që e preka. I urova që jetën tjetër ta jetoj e lumtur, aty e kuptova se po i lëvizte sytë”, ka deklaruar Tavin.
Fëmijët e tyre nuk i besonin syve me atë që po shihnin.
“Më vjen mirë që kisha të drejtë dhe isha i bindur se është gjallë. E përqafova dhe i thirra fëmijët tanë, por ata mendonin se kam probleme me halucinacionet. Megjithatë, u detyruan të më besojnë kur mjeku dhe kunata ime konfirmuan se ajo është gjallë. Pulsi ishte shumë i dobët megjithatë kishte rrahje”, ka shtuar ai.
Por edhe pse ishte e gjallë, nuk ishte në gjendje të reagojë apo flet. Kështu familjarët e dërguan me urgjencë në shtëpi, ku i vënë shishe me ujë të nxehtë në gjoks për t’ia rritur temperaturën e trupit.