Telegrafi

Menduan se gjetën bombolë oksigjeni në strehimoren e oborrit të ndërtuar gjatë Luftës së Dytë Botërore, doli të jetë predhë e pashpërthyer

Një familje në Angli ka mundur ta hedh veten në erë nga një “shishe e vogël e vjetër”, të cilën e gjetën në oborrin e shtëpisë që në fund doli të jetë një bombë e Luftës së Dytë Botërore.

Ed Cawdell, 43-vjeç dhe familja e tij po pastronin një strukturë misterioze prej betoni në oborrin e shtëpisë në Quoron të Leicestershire, kur gjetën mjetin shpërthyes, transmeton Telegrafi.

Ata kishin filluar të pastrojnë një lloj strehimoreje që ishte e ndërtuar gjatë viteve të 40-ta nën tokë në oborrin e tyre, me qëllim që të kalojnë kohën tani në ditët e izolimit të pandemisë së coronavirusit.

Brenda saj ata gjetën gjësende të ndryshme siç është sapuni, shishe të birrës, kavanoz të trangujve, orë, poç elektrik dhe shishe. Por të hënën, ata nxorën nga strehimorja atë që në fillim dukej të ishte një shishe apo bombolë oksigjeni, që më pas doli të jetë një predhë 4.2.

Ata besonin se lënda shpërthyese ishte hedhur nga gjermanët gjatë Luftës së Dytë Botërore, e kur ekspertët e deminimit e larguan këtë ‘relikte’ dhe e dërguan në bazë, konfirmuan se predhës i ishte dëmtuar siguresa mbrojtëse dhe se shumë lehtë ka mundur të shpërthejë.

Për fat të mirë askush nuk është lënduar, por po të mos e kishin telefonuar policinë, ata sigurisht se do ta “hidhnin veten në erë”. /Telegrafi/