Në New Jersey në kontejnerët e mbeturinave pranë një ndërtese, është gjetur qeni i njohur me emrin Patrick i mbështjellë në qeset e mbeturinave, pasi ishte braktisur dhe kishte mbetur i uritur dhe pothuajse pa shenja jete.
Emrin e mori pasi u gjet një ditë para festës së Shën Patrickut. Por edhe pse të gjithë mendonin se nuk do të mbijetojë pas 24 orëve, ky qen ka habitur të gjithë me vullnetin për jetë, transmeton Telegrafi.
Keisha Curtis 27-vjeçe, dikur pronarja e Patrickut, e kishte braktisur duke e lënë të lidhur në rrethojat e ndërtesës për më shumë se një javë, por ende mbetet mister se si kishte përfunduar në kontejnerët e mbeturinave.
Në momentin që ishte sjellë në spital, peshonte 19 kilogramë. Kurse, trupi i tij ishte aq i ftohtë sa që termometri nuk mund ta regjistronte.
Por pas marrjes së infuzionit dhe barnave tjera, Patrick filloi të shfaq shenja jete, dhe pasi i mbijetoi momenteve kritike, ishte e qartë që ky qen do ta rikthej forcën që e kishte dikur.
Ai brenda një kohe të shkurtër u bë hit në internet, dhe filluan të arrijnë shuma të majme të parave nga vende të ndryshme të botës, të cilët ishin dedikuar për barnat dhe ushqimin e tij. /Telegrafi/