Një nënë e dy fëmijëve ka humbur jetën, pasi aksidentalisht është përplasur në derën e xhamit të një filiale të bankës, ku copëzat e thyera nga përplasja i janë ngulur në bark.
Kamerat e sigurisë shfaqin Beena Jiju Paul, 46-vjeçe, brenda bankës në Baroda në Perumbavoor të Indisë. Ajo shihet duke ecur në drejtim të dyerve pasi e kishte kuptuar se i kishte harruar çelësat në motoçikletë, transmeton Telegrafi.
Sipas dëshmitarëve okularë, ajo nuk e kishte kuptuar se dyert janë mbyllur dhe në një moment ajo përplaset në derë, ku nga goditja e madhe rrëzohet në tokë e copëzat e xhamit të thyer i ngulën në bark.
Edhe pse mundohet të ngritet në këmbë ajo nuk arrin ta bëjë një gjë të tillë, duke u detyruar të pranishmit t’i dalin në ndihmë.
Pa kaluar shumë sekonda ajo u mbulua në gjak në plagët e shkaktuar nga copëzat e xhamit që i ishin ngulur në bark.
Duke parë se situata ishte serioze, ajo u dërgua me urgjencë në spitalin më të afërt, por kjo nënë e dy fëmijëve nuk i mbijetoi plagëve. /Telegrafi/