Site icon Telegrafi

Mendjen okë në interes të vendit

Më mundonte diç nga brenda dhe më shkaktohej stres në mendime për zhvillimin e bisedimeve të detyruara me Serbinë, gjë që sigurisht për këtë është i preokupuar çdo bashkëqytetar i vendit tim. Vazhdimi i këtyre bisedimeve sikurse të le përshtypjen e asaj se historia nuk do të jetë e drejtë me shumicën absolute dhe me territorin e saj të quajtur Kosovë.

Me këto mendime i bëja vetës pyetje, dhe vazhdoj t’i bëj, po e zhvilloj një monolog me veten pa biseduar dhe debatuar me të tjerët. Ndoshta këtë po e bëjë sepse nuk dua që mendimet dhe opinionet e të tjerëve të ndikojnë në mendjen time. Ndoshta ky pozicionim i imi ka të bëjë se jam shqiptare dhe nuk i marrim lehtë argumentet parasysh, pa i shkoqitur mirë edhe opinionet e të tjerëve. Apo nga mëdyshja se ne shqiptarët jemi mësuar që vetëm të kritikojmë apo edhe vetëm të lëvdojmë?!

Shpeshherë nuk mund t’i zhveshim mendimet nga grupacionet politike apo edhe grupeve të tjera për çastin që i takojmë, për interes kombëtar. Kështu që, edhe në këso momente serioze shihet qartë se nëse je përkrahës, anëtar apo i sistematizuar në subjektin politik që është në pushtet, jemi të prirë të thurim lavde, pa analizuar dhe pa i matur çështjet në okë. Apo, nëse je në opozitë dhe nuk je përkrahës i partisë e cila e ka pushtetin, domosdo duhet vetëm për të kritikuar dhe të thirremi në atë se, pozita asgjë të mirë nuk po bën në të mirë të qytetarëve dhe këtij vendi, dhe çdo gjë hidhet poshtë.

Linjë të njëjtë po ndjekin edhe shoqëritë civile të cilat varet se në cilën ombrellë kanë hy dhe nga ai këndvështrim i shprehin opinionet e tyre, qoftë nën ombrellën vendore (pozitë-opozitë) apo edhe në atë ndërkombëtare (pasi që burimin disa e kanë edhe nga jashtë) dhe po harrojnë tërësisht paanshmërinë apo objektivitetin për të shprehur dhe kritikuar.

Me këtë dua të them se analistet e çanalistët shpeshherë ia kanë hatrin ndonjë politikani dhe janë të prirë për të folur për dëshirë të tij! Ky veprim më rëndon shumë, sepse vërtetë po çorienton jo vetëm masën e gjerë shqiptare, por edhe miqtë tanë ndërkombëtar. Prandaj, më shqetëson ky fakt i hidhur dhe pyes: kur duhet ne shqiptaret të mësohemi dhe te zhvishemi nga kjo mënyrë e të menduarit? A duhet që diapazonin tonë ta zgjerojmë dhe të shprehemi më me përgjegjësi për veten tonë e për të ardhmen tonë?

E, kjo është arsyeja qe nuk debatova dhe nuk e shpreha me askënd brengën time! Dhe, ende vazhdoj te shtroj pyetje të shumta për të cilat lutem që gjeneratat e ardhshme mos të kenë këto lloj brenge, por të brengosen me probleme konkrete. Në rastin tonë duhet të mendojmë se: a është mirë që po bisedohet me Serbinë dhe a duhet të bisedohet; çka nëse nuk ju përgjigjemi ftesës për bisedime dhe i refuzojmë ato; a duhet domosdo të kemi anëtarësimin tonë në organizatat ndërkombëtar apo preferojmë të qëndrojmë të izoluar; a është më mirë që të bëjmë tolerime përsëri ne, shumica absolute, dhe të “fitohen” beneficionet që janë të domosdoshme për ketë territor që i përket gjeografikisht Evropës?

E, kur të përfundojmë me përgjigjen e këtyre pyetjeve e të matim rezultatet me okë, atëherë sigurisht që do të lehtësohen kokat tona dhe do të lehtësohet brenga për të ardhmen. Kjo formë e të menduarit me okë do të na shërbejë shumë për interesin e vendit!

Exit mobile version