Revista amerikane Forbes edhe këtë vit e ka publikuar listën e menaxherëve më të fuqishëm në mbarë botën në sporte të ndryshme.
Në grupin e 10 më të pasurve ka disa risi, ku shihet rikthimi i Jorge Mendesit në vendin e dytë.
Ai e tha fjalën kryesore këtë verë gjatë afatit kalimtar me transferimin e Cristiano Ronaldos nga Real Madridi drejt Juventusit për 100 milionë euro.
Menaxheri portugez ka kaluar shifrën e 100 milionë eurove përfitime nga komisionet dhe parakalohet vetëm nga menaxheri i famshëm i bejsbollit, Scott Boras.
Mendez, në hapësirën e 12 muajve i ka rritur përfitimet nëpërmjet komisioneve me 30.5%, duke shkuar nga 77 në 100.5 milionë dollarë.
Shuma nga kontratat e nënshkruara nga klientët e tij rritet nga 770 milionë dollarë në 2017-ën në mbi 1 miliard në 2018-ën.
Buzëqesh edhe menaxheri, Mino Raiola, që futet në “top 5”, duke u ngjitur brenda një viti nga vendi i 10-të në të 5-tin.
Menaxheri i Ibrahimovicit dhe Pogbas në 2017-ën përfitonte nga komisionet 43.5 milionë dollar, me shumën totale nga kontratat e nënshkruara që arrinte 435 milionë dollarë.
Gjatë 2018-ës, përfitimet e tij nga komisionet arrijnë 62.89 milionë dollar, me një qarkullim prej 628.9 milionë dollarësh.
Sa u përket agjencive, Gestifute e Jorge Mendezit renditet e shtata, ndërsa kryeson Creative Artists Agency.
Si agjent është edhe Jonathan Barnett, i cili renditet në vendin e tretë, por ai punon me disa sporte, si kriket, boks e futboll.
Agjencia e Raiolas klasifikohet në vendin e nëntë. /Telegrafi/