Telegrafi

Menaxhmenti i KEK-ut reagon ndaj Sindikatës

“Menaxhmenti i KEK-ut akuzohet pikërisht në çështjet organizative, ndryshimi i të cilave ka bërë që KEK-u të ketë rritje të jashtëzakonshme në të gjithë sektorët. SPE kërkon revokimin e rregulloreve 1,2 dhe 3 të distrikteve.

Por, futja e këtyre rregulloreve në fuqi ka treguar rezultate të jashtëzakonshme. Si rezultat i këtyre rregulloreve inkasimi është rritur për afro 20 për qind vetëm gjatë këtij viti, kurse humbjet janë zvogëluar vazhdimisht.

SPE kërkon shfuqizimin e matjes së përformancës individuale përmes objektivave të qartë, ndërsa çdo kompani që synon rritjen dhe përmirësimin e vazhdueshëm e bën këtë matje dhe vendosë objektiva.

Pra, SPE kërkon që të mos ketë përgjegjësi individuale, ndërsa pa përgjegjësi individuale nuk mund të arrihet asnjë objektiv”, thuhet në reagimin e KEK-ut. KEK sqaron se ka kaluar koha e përgjegjësive kolektive qysh në vitin 1999, ndërsa demokracia që po ndërtohet në Kosovë, si në çdo vend të botës e njeh individin, si për nga përgjegjësia ashtu edhe për nga meritat.
SPE kërkon transparencë tek tenderët. Kurse KEK thotë se çdo tender në KEK i nënshtrohet procedurave strikte ligjore, të rregulluara me Ligjin e Prokurimit Publik dhe ligjet tjera përcjellëse.

KEK-u thotë se çdo proces tenderues është transparent. KEK-u thotë se është subjekti më transparent që i nënshtrohet LPP-së. 
“Menaxhmenti është thellësisht i përkushtuar në ngritjen e vazhdueshme të mirëqenies së punonjësve. KEK funksionon në përputhje me standarde të njohura ndërkombëtare për funksionimin e Korporatave si KEK-u. Këto standarte kanë të bëjnë me numrin e orëve të punës dhe kompenzimin e kohës së punës (në raste të nevojshme)”, thuhet në komunikatën e KEK-ut.
“Duam të rikujtojmë publikisht SPE-në që pothuajse asnjëherë nuk kanë reaguar kundër sulmeve që u janë bërë punonjësve tanë në terren gjatë punës së tyre të përditshme dhe nuk kanë ndërmarrë asnjë masë që do të ndikonte pozitivisht në marrëdhniet e punonjësve me konsumatorët tanë. Një veprim i tillë i SPE-së do të ishte në përputhje me standartet e organizimeve sindikale të njohura ndërkombëtarisht. Kjo tregon mjaft për interesimin e kësaj të fundit për punonjësit e Korporatës.
KEK-u, në fund u bënë thirrje të gjithë punonjësve të distancohen nga organizime që, sipas KEK-ut, kanë për qëllim tërheqjen e vëmendjes publike për interesa të ngushta dhe të mbesin të përkushtuar në arritjen e objektivave që do të rezultojnë në të mirën e të gjithëve.