Bordi i Drejtorëve të Postës dhe menaxhmenti kanë dal me një komunikatë për media me anë së cilës e përkrahin grevën e punëtorëve e cila ka filluar sot.
Punëtorët e Postës kanë hyrë në grevë duke kërkuar pagat të cilat ende nuk i kanë marr.
Sipas komunikatës bordi i drejtorëve dhe menaxhmenti i ndërmarrjes kanë reaguar para disa muajve, që nëse nuk kryhet mbulimi i Shërbimit Universal Postar nga Qeveria, ndërmarrja do të përballet me probleme financiare dhe nuk do të mund të bëhet ekzekutimi i pagave për punonjësit, si e drejtë themelore e garantuar me ligj.
“Menaxhmenti me datën 6 shtator 2018 i ka dërguar shkresën e fundit në Qeveri, përmes së cilës ka njoftuar se i ka plotësuar të gjitha parakushtet ligjore përfshirë edhe konfirmimin nga ARKEP-i, që Shërbimi Universal Postar të mbulohet nga Qeveria dhe ka mbi një muaj që kjo çështje është në dorën e Qeverisë për ta kryer rimbursimin”, thuhet në komunikatë.
Sipas komunikatës deri më tani borxhi i pa paguar nga Qeveria e Kosovës për Shërbimin Universal Postar ka arritur vlerën rreth 5 milionë euro, dhe pikërisht mos pagesa e këtij borxhi e ka sjellë këtë situatë në të cilën ndodhen sot.
“Menaxhmenti i ndërmarrjes ka shpenzuar këto mjete nga të hyrat vetanake të ndërmarrjes për ta ofruar Shërbimin Universal Postar, sepse Ligji mbi Shërbimin Postar e obligon për ta kryer një shërbim të tillë, si dhe i njëjti ligj e obligon Qeverinë pastaj të rimbursojë Postën për humbjet e shkaktuara nga ky shërbim”, vijon komunikata.
Menaxhmenti i ndërmarrjes i vlerëson kërkesat e punonjësve si të drejta dhe të ligjshme, sepse mos kryerja e këtij obligimi financiar nga Qeveria ka pamundësuar ekzekutimin e pagave.
Këtë çështje e kemi diskutuar dhjetëra herë me përfaqësuesit sindikal dhe me punonjës të ndërmarrjes.
Menaxhmenti i ndërmarrjes situatën e vlerëson si shumë shqetësuese dhe i bënë thirrje Qeverisë së Kosovës që të merr sa më parë vendimin për të mbuluar Shërbimin Universal Postar, që punonjësit t’i marrin pagat dhe ndërmarrja të kthehet në gjendje normale.
Çdo shtyrje e këtij vendimi, vetëm sa do ta thelloi krizën në ndërmarrje dhe do të krijoi pasoja të rënda negative në të gjitha aspektet. /Telegrafi/