Është ky një ndër tekstet më të njohura të këtij dramaturgu amerikan, që me premierën e vitit 1944 këtë autor nga hija e nxori në piedestalin e dramaturgjisë botërore të shekullit XX.
“Menaxheria…” trajton fatin e një familjeje amerikane, në kohën e Krizës së Madhe Ekonomike të viteve ’30 të shekullit të kaluar.
Personazhet kryesore janë të braktisura, ndërsa jetojnë mes të kaluarës, të ardhmes dhe të tashmes së turbullt. Amanda është peng i komoditetit që kishte në rini, Laura është e çorientuar, ndërsa Tomi e urren të tashmen.
Secili nga këto personazhe dëshiron të ikë nga ky realitet. Ndjenja e arratisë, që është e pranishme tek secili, e bënë këtë familje – këtë pasqyrë të shoqërisë në rrethana të caktuara – të jetë buzë shkatërrimit.
“Shfaqja flet për një familje e cila dita-ditës has në vështirësi më të mëdha ekonomike. Në këtë kontekst mbështetet edhe një nga projeksionet e shfaqjes, sepse kjo situatë është e ngjashme me rrethanat tona: të luftës për mbijetesë ekonomike dhe sociale”, thotë regjisori i shfaqjes.
Familja Wingfield është e braktisur nga kryefamiljari. Një nënë me dy fëmijë mundohet ta mbajë në këmbë vatrën, ose kështjellën që është gati të thyhet.
“Amanda mund të shihet si një nënë e cila nuk ka gjymtyrë. Dora e saj e djathtë është djali i saj, Tomi inteligjent por i pabindur; ndërsa dora e saj e majtë është Laura, e bindur po e paaftë. Preokupimet dhe ambiciet e nënës janë të kota, sa herë që ajo synon një të ardhme ose një karrierë më të mirë për fëmijët. Thjeshtë, ata nuk janë të gatshëm për projeksionet e saj. Kështu, metafora e qelqit konsiston në ndjeshmërinë, në krizën në familje dhe në tërë shoqërinë. Ky është një tekst natyralist, por ne e kemi konceptuar duke u bazuar në dimensionin e metaforës qendrore. Qelqi dhe ndjeshmëria e saj është bazamenti ku po shkel edhe shoqëria jonë”, shton Ramadani.
Duke studiuar jetën e Williamsit, është kuptuar se roli i Tomit është pikërisht projektimi i jetës së tij, i ëndrrave dhe idealeve që kishte në një kohë. Tomi, në shfaqjen e “Dodonës” luhet nga aktori Afrim Muçaj.
“Ky është një rol shumë i dashur për mua. Jam munduar ta jap maksimumin që ta realizoj. E kam gjetur veten tek ky karakter. Ndoshta pse aktori në Kosovë është i nëpërkëmbur, por megjithatë i ndjeshëm dhe i dashur. Prandaj, ndonëse e braktisë familjen, ai nuk e harron. Kjo shihet edhe nga jeta e autorit, sepse gjysmën e profiteve nga ky tekst ia dedikon nënës dhe motrës së tij që ishte e paaftë për t’u ballafaquar me jetën”, thotë Muçaj.
Në shfaqje luajnë: Drita Krasniqi, Afrim Muçaj, Donikë Ahmeti dhe Kastriot Grajçevci. Skenografia: Mentor Berisha. Kostumet: Greta Maksuti. Mjeshtër ndriçimi: Skënder Latifi. Punëtorë skene: Bedri Maloku, Fadil Bekteshi dhe Albert Gashi. /Telegrafi/