Menaxheri i Elseid Hysajt, Mario Giuffredi, duket se po bëhet gati t’i dërgojë mbrojtësit të përfaqësueses shqiptare një konkurrent shumë të fortë për krahun e djathtë te Napoli.
Prej disa muajsh, përflitet se Andrea Conti mund të shkojë te napolitanët, por pengesa e vetme për të ishte fakti se aty gjendej Hysaj.
Por sipas Giuffredit, i cili menaxhon edhe Kontin, dy lojtarët mund të alternohen mjaft mirë, ose Hysaj të kalojë në krahun tjetër. Ndaj ai ka nxitur Napolin që të bëjë të tijin futbollistin e Atalantës pa pritur që të largohet Hysaj, siç aludohej prej kohësh.
“Andrea Conti mund të luajë edhe në sulm, ndërsa të shtunën e pashë të luante për herë të parë majtas dhe tregoi aftësitë e tij edhe aty. Konti i pëlqen Napolit dhe tani u bë viti që flas me Guintolin për të. Por mendoj se të presim më shumë do të jetë një gabim”.
“Jam i sigurt se Conti do të vazhdojë me këtë hap dhe ka shumë kërkesa jashtë Italisë për të, ndaj unë nuk do të prisja oferta nga klube të tjera. Konti dhe Hysaj mund të alternohen në krahët e mbrojtjes e për më tepër, ai mund të luajë edhe në vend të Callejon”, tha Giuffredi, transmeton telesport.
Në këtë situatë, posti i titullarit fiks të Hysajt mund të rrezikohet pikërisht nga kjo dëshirë e menaxherit të tij, i cili në tentativën për të sistemuar mbrojtësin e majtë italian, mund të penalizojë të ardhmen e futbollistit kuqezi.