Me apo pa vullnetin e tyre, drejtues të klinikave të përfshirë në aktakuzën për rastin “Stenta”, do t’i lirojnë pozitat menaxheriale brenda javës.
Ndonëse bordi drejtues i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar u dha kohë që deri të premten ata t’i lirojnë vetë këto pozita, në 24 -orëshin e parë të njëjtit heshtën, raporton KTV.
Televizioni ka provuar të kontaktojë drejtorin e klinikës së Kardiologjisë, Gani Bajraktari, por ai nuk u është përgjigjur thirrjeve, derisa drejtori i spitalit të Mitrovicës, Mirdi Strana, nuk ka pranuar të flasë me të kuptuar se është kontaktuar nga televizioni.
Ndryshe nga kolegët, drejtori i spitalit të Gjilanit, Besim Guda, i përfshirë po ashtu në këtë aktakuzë, thotë se do të presë afatin e fundit që ka dhënë bordi.
Kërkesën e drejtorit të këtij institucioni, Curr Gjocaj, për të shkarkuar nga pozitat menaxheriale të gjithë të përfshirët në aktakuzë, bordi drejtues do ta zbatojë përfundimisht në mbledhjen e parë që do ta mbajë.
Kërkesa për shkarkim të tyre erdhi ditë më parë nga ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, i cili këtë përgjegjësi ia kërkoi drejtorit të SHSKUK-së.
Nga këto pozita pritet të largohen rreth 10 persona, drejtues të klinikave apo shefa të reparteve, emrat e të cilëve përmenden në aktakuzë.