Telegrafi

Memushaj i mërzitur shumë për Manajn

Futbollisti Ledian Memushaj ndjen keqardhje që Rey Manaj nuk arriti të linte shenjë në radhët e skuadrës së Pescarës dhe u largua nga ky klub vetëm pas 6 muajsh.

Mesfushori, në një intervistë për mediat lokale, e ka cilësuar këtë si një disfatë personale, pasi ishte përkushtuar që bashkëkombësi i tij të shfaqej sa më mirë.

“Manaj është pengu im personal, mund të themi edhe një disfatë. Rey ka paguar padyshim trendin e ekipit. Nëse integrimi i tij do të ishte gradual, ai do të kishte mundësinë të jepte kontributin e tij dhe sidomos do të kishte qenë më i qetë”, u shpreh mesfushori, duke lënë të kuptohej se pikërisht nervozizmi i tepruar kishte shtyrë lojtarin larg Pescarës.

“Është mëkat, pasi ai ka cilësi të mëdha, më vjen keq sidomos për mënyrën se si u nda nga ky ambient”, ishin fjalët e Memushajt për bashkëkombësin e tij, i cili vetëm dje iu bashkua Pisës në Serinë B.