Mbi katër milionë euro kishte ndarë Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Hashim Thaçi, për rregullimin e kompleksit memorial në Koshare.
Pavarësisht se mjetet u ndanë, rruga nuk u shtrua kurrë derisa tash e 17 vjet kompleksi mbeti i papërfunduar, raporton KTV.
Zyrtarë të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, akuzojnë pushtetet për vonesa.
Kryetari i kësaj agjencie, Idriz Blakaj, ka thënë se në gjendje të njëjtë sikurse kompleksi i Koshares, janë edhe komplekset tjera memoriale në Kosovë. Sipas tij, Qeveria e Kosovës, duhet t’i ketë prioritet vlerat e luftës.
Rruga që çon te ky kompleks, është shumë e dëmtuar. Sipas Faton Abdullahut, këshilltar i kryeministrit Isa Mustafa, Qeveria i ka ndarë mjetet edhe për rregullimin e rrugës.
Rruga Batushë-Koshare, e cila çon te kompleksi memorial i dëshmorëve të Koshares, është e gjatë 8.3 km.