Site icon Telegrafi

Memorandumi dhe antimemorandumi serb i ASSHA-së

Ilustrim

Dikush ka lexuar e dikush vetëm ka dëgjuar për Memorandumin e Akademisë serbe të shkencave dhe artëve, por pak kush ka ditur se pati edhe një Antimemoradum, në atë akademi. Fjala është për Antimemorandumin të cilin e kishte iniciuar profesori Mirko Simiq dhe të cilin e nënshkruan 18 akademikë të ASSHA-së.

(Projekti i vitit 1986)

(Memorandumi i ASSHA është një tekst me rreth 54 faqe shkrimi A4 me shkronja të madhësisë ‘14).

Zakonisht dikush e nisë leximin e atij teksti normalisht nga fillimi, dhe e sheh se aty ka shumëçka që duket goxha mirë, duket njëfarë analize serioze e gjendjes në ekonominë e ish RSFJ-së, por edhe të metat e rregullimit shtetëror.

Duke e lexuar më tutje në vazhdim, nisin të dalin qëllimet konkrete të autorëve të Memorandumit.

Dhe pikërisht Profesori Mirko Simiq (anëtar me korrespondencë i ASSHA-së) në një nga zyrat e kësaj akademie, e kishte parë në tavolinën e një akademiku, koleg të tij, edhe hartën e madhe të Kroacisë me të cilën merreshin akademikët serbë. Pastaj ishte interesuar se çka iu duhet ajo hartë e madhe akademikëve në tavolinë. Kishte parë se aty, përveç tjerash,  kërkohej edhe një spital me 1500 shtretër, dhe natyrisht i kishte thënë vetes, se krejt kjo duket si përgatitje për luftë.

Duke lexuar më tutje, tekstin e Memorandumit, pa shkuar  në gjysmën e tekstit, nis të dali në sipërfaqe krejt qëllimi dhe plani që duhet të realizohet, nga kush tjetër, pos nga ushtria me luftë.

Pastaj po ky profesori Mirko kishte menduar seriozisht për këtë gjakderdhje që do të ndodhë, dhe kishte organizuar nënshkrimin e një Apeli për të kundërshtuar kasaphanën që po përgatit Beogradi zyrtar i kohës.

Kishte mbledhur edhe 18 nënshkrime, por ia kishin zhvlerësuar kolegët akademik, duke i thënë se ky nuk është kompetent për këso gjerash.

Më në fund, edhe Mirko Simiq e kishte përjetuar ekzodusin si çdo serb tjetër që ka fol hapur për planet e rrezikshme që po zien Beogradi. Kishte kuptuar, se aty, në Beograd, nuk mund të jetojë i lirë dhe kishte ikur në Angli.

Derisa në këtë Memorandumin e ASSHA-së, numërohen një nga një vendimet e Mbledhjeve të famshme të KAÇKJ-së(AVNOJ) dhe garancia që aty PKJ u kishte dhënë serbëve për të drejta të barabarta kudo që jetojnë në Jugosllavi, thuhet se ata tashmë nuk po i gëzojnë ato në asnjë pjesë të RSFJ-së, madje as edhe brenda vet Serbisë. Në anën tjetër, në Antimemorandumin që nënshkruan 18 akademikët tjerë, në krye me Mirko Simiqin, vihen në pah të gjitha të ligat që sjell ky dokument i hartuar enkas për të ndihmuar marshimin vrastar të bandave kriminale të pushtetit serb të Beogradit në cdo pjesë të Jugosllavisë.

Shihet se askund, ata akademik serb nuk merren me zhvillimet konkrete në terren, por fjali pas fjalie, iu kthehen miteve të njohura të tyre. Nuk përmendin asnjë fakt të prekshëm për punën e Kosovës, dhe kuvendin e Prizrenit. Pastaj nuk e thonë edhe një fjalë, se vet mbajtja e atij kuvendi e ka përcaktua pozitën kushtetuese të Kosovës dhe vet fjalia që thuhet: “Kosova i bashkohet Serbisë me vullnetin e qytetarëve të saj”, dëshmon se; nëse Kosova iu ka bashkua Serbisë me vullnet, me po atë vullnet mund të ndahet prej saj. Ky fakt dëshmon se akademikëve që po ia përgatisnin planin Sllobës, nuk iu interesonte fare e vërteta e as logjika e asaj që kanë bërë e kanë shkruar e nënshkruar vet ata.

Duke pasur parsyshë logjikën e këtyre fjalëve del se: një territor kompakt me shumicë dërmuese shqiptare, historinë e të cilit më mirë e njeh Serbia se vet shqiptarët, paska votuar me ju bashkua Serbisë e jo Shqipërisë, megjithëse gjithçka dhe çdo fakt dëshmon se ishte krejt e kundërta.

Shih për seri, edhe në mbledhjen e Kuvendit të KSA të Kosovës në vitin 1990, ndodhë e njëjta gjë, dhe serbët thonë po të njëjtën gjë, edhe 45 vjet më vonë. Memorandumi dëshmon me pikë e presje se Serbia kurrë nuk ka heq dorë nga politika e saj sa i përket shqiptarëve, por edhe kroatëve e boshnjakëve, gjë që u pa vetëm 3 vjet më vonë nga publikimi i Memorandumit të ASSHA-së.

Nga memorandumi i ASSHA-së, shihet krejt hapur, se ata serish janë të gatshëm të bëjnë të gjitha të zezat dhe t’i përsërisin ato edhe në prag të shekullit 21, pa  menduar kurrë as edhe me një fjali se çka ka ndodhë për 45 vjet rresht, dhe sa zhvillimet kanë ndodhur gjatë asaj kohe.

Edhe sot kur kanë kaluar 31 vjet nga viti 1990, kur Serbia i hyri aventurës ushtarake për të suprimuar autonominë e Kosovës, në Serbi akoma fliten të njëjtat fjalë e fjali nga “pogllavarët” e Beogradit, për rehabilitimin e Memorandumit që në fakt ishte shkrepëse me të cilën iu vu zjarri ish RSFJ-së .
Të gjitha ato të liga, që gjoja ua paskan bërë shqiptarët serbëve, gjatë 45 vjetëve të pas luftës së dytë botërore, përfshihen me një fjali në rezymenë e memorandumit ku thuhet se shqiptarët kanë bërë gjenocid mbi serbët e Kosovës, fjali kjo që dëgjohet e shkruhet akoma në mediat serbe.

Në anën tjetër, Kosova është një fushë e mbushur me gjak shqiptarësh të vrarë e të zhdukur nga serbët. Është Kosova me shumë varre me të vrarë, por edhe me shumë varre pa trupat e të vrarëve, që i mori me vete soldateska serbe dhe i groposi diku në Serbi. Faktet konkrete, janë në anën e shqiptarëve në çdo ditë e në çdo pikë. Kur njeriu normal mëson me fakte krejt çka kanë bërë serbët mbi shqiptar, edhe fjala gjenocid mund të përdoret pa hezitim, pasi këtë e kishte në plan Serbia dhe për këtë ajo kishte hartuar plane të njëpasnjëshme shtetërore, për realizimin e tyre në terren deri edhe Memorandumin, por doli se nuk ishte punë e lehtë në terren.

Çka di Serbia për shqiptarë?

Serbia, sigurisht për historinë e vërtetë të shqiptarëve di ma shumë se vet shqiptarët. Serbia e di edhe historinë e shqiptarëve që e fsheh nëpër arkivat e kishave dhe të shtetit serb. Beogradi zyrtar ma më shumë vëmendje e kujdes i ruan ato dokumente e dosje të shqiptarëve, se rezervat e arit që posedon.

Serbia planet e shfarosjes së shqiptarëve i ka bërë me makina shkrimi dhe nga njerëz të shkolluar serbë. Nuk e gjeni dot edhe një serb pa shkollë, që di aq shumë të zeza të thotë me gojë sa thonë akademikët dhe politikanët serbë nëpër planet e tyre.

Serbia ka të gjitha dosjet e shqiptarëve.  Serbia i ka të shënuar me dokumente krejt shqiptarët që ka vrarë me gjyq e pa gjyq fare. Serbia i ka të gjitha shënimet një për një edhe sa të burgosur politik shqiptarë kanë vuajtur nëpër burgjet serbe, sa kanë vuajtur e sa kanë vdekur nga torturat në burgjet e saj. Serbia e di me emër e mbiemër sa shqiptar ka vra në Kosovë dhe sa kufoma të tyre ka zhdukur. Serbia e di mirë si e ka përdorë armatën jugosllave për qëllime të saj, kur ajo akoma quhej APJ. Serbia e di mirë sa shërbime sekrete të saj veprojnë në Kosovë dhe me çka merren ato.

Dy partitë politike serbe që kanë pushtetin në Serbi, tash 31 vjet, e dinë më mirë se të gjithë të popujt tjerë fqinjë, sa krime kanë bërë dhe sa pasuri të njerëzve kanë plaçkitur, pasi i kanë dëbuar nga vatrat e tyre apo i kanë vrarë në shtëpitë e tyre, anë e kënd Jugosllavisë.

E di Serbia sa para e pasuri të shqiptarëve, ka plaçkitur e konfiskuar në shtëpitë e tyre, apo edhe duke i ndjekur edhe në vendkalimet kufitare gjatë luftës. Në Bllacë i kanë parë e përjetuar këto plaçkitje me qindra mijëra shqiptarë. E dinë akademikët dhe çdo organ i shtetit serb se sa ka plaçkitur Serbia nga Kosova për 90 vjet të pushtimit.

Edhe sot ka përpjekje për rehabilitimin e memorandumit të ASSHA-së. Vetëm po të shikohet se si u lëshua politika serbe si uragan kundër një interviste të kryetarit aktual të ASSHA-së Kostiq, i cili nuk tha asgjë më ndryshe së çka thuhet në atë dokument, por ai e tha edhe të vërtetën që ekziston sot në terren.

Ai Memorandum është ndërtuar mbi mite dhe nacionalizëm të rrezikshëm, si ajo fjalia: “të gjithë serbët në një shtet”.

Hapja e çështjes serbe në mënyrën siç është shkruar në Memorandumin e ASSHA-së mund të të interpretohet vetëm si ftesë e drejtpërdrejtë për shpartallimin e Jugosllavisë, e të cilin akt e panë shumë shpejtë të gjithë ata që jetonin këtu. E ashtuquajtura elitë intelektuale serbe në ASSHA është e keqja më e madhe në Serbi, e cila ka ndihmuar politikën që të bëjë pastrimin etnik të serbëve në Kroaci, gjenocidin në Bosnje dhe ngjarjet tragjike në Kosovë./Telegrafi/

Exit mobile version