Prokuroria Publike, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Drejtoria Doganore e Maqedonisë së Veriut sot kanë nënshkruar Memorandum ndërmjet tri institucioneve për bashkëpunim në fushën e përballjes me krimin në lidhje me armët e zjarrit.
Memorandumi është nënshkruar në kuadër dhe me mbështetjen e Programit Global kundër Armëve të Zjarrit të Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC). Qëllimi i memorandumit është koordinimi më efektiv dhe nxitja e bashkëpunimit të ndërsjellë në fushën e shuarjes së krimit që lidhet me armët e zjarrit, trafikimit të armëve të zjarrit dhe lufta kundër krimeve dhe veprave penale që lidhen me armët e zjarrit, veçanërisht armët e vogla dhe të lehta, pjesët dhe përbërësit e tyre, municione dhe eksplozivë.
Prokurori publik, Ljubomir Joveski, në prezantimin e nënshkrimit, iu referua ndryshimeve të fundit të Kodit Penal, me të cilat janë përfshirë dhe rregulluar më saktë këto vepra, duke mundësuar ndjekje penale më efikase të kryerësve.
“Megjithatë, as bota, as vendi dhe rajoni ynë nuk janë të lira nga pasojat e krimeve të kryera me armë zjarri, por është edhe më evidente se nga armët e zjarrit humbasin jetë edhe në ngjarjet jokonfliktuale. Krimi në lidhje me armët e zjarrit paraqet kërcënim social ndaj të cilit nevojitet një përgjigje e duhur nga organet e rendit në aspektin e parandalimit, hetimit dhe ndjekjes së krimeve”, tha Joveski.
Memorandumi parashikon bashkëpunim më efektiv në kryerjen e hetimeve të përbashkëta në fushën e shuarjes së krimit në lidhje me armët e zjarrit, pjesët dhe përbërësit e tyre dhe municionin dhe ofrimin e ndihmës reciproke në zbulimin dhe dokumentimin e rasteve të posedimit, ruajtjes, prodhimit, transferimit dhe tregtimit të paligjshëm të armëve të zjarrit.
Gjithashtu parashihen trajnime dhe edukime të përbashkëta, formimi i grupeve të përbashkëta punuese në këtë fushë, asistencë e ndërsjellë profesionale dhe teknike dhe rritje e veprimit parandalues me qëllim të forcimit të ndërgjegjësimit të qytetarëve, me qëllim njohjen e krimeve dhe kundërvajtjeve që lidhen me armët e zjarrit./Telegrafi/