Partia Demokratike e Kosovës, në një mënyrë ose tjetrën, drejtpërdrejtë ose indirekt, me veprime të menduara apo të pa menduara mirë, mirë ose keq, ndikoi fuqishëm në skenën politike të Kosovës dhe në shtet ndërtim.
Delegatët që votuan Memli Krasniqin për kryetar partie, nuk e patën vështirë, pasi tërheqja e kandidaturave të tjera të paralajmëruara, apo të pritura, e thjeshtësoi procesin formal. Kjo bëri që në vend se të duket proces i zgjedhjes, të jetë në fakt një emërim. Gjithsesi, kjo duket të jetë bërë për të evituar përplasjet dhe për ta konsoliduar partinë e cila pas udhëtimit për në Hagë të dy liderëve të saj, kishte mbetur, në mënyrë metaforike e thënë, “pa kokë”. Madje, kishte mbetur pa dy kokat e saj, shpirtërore edhe politike.
Koka e “vendosur” përkohësisht për ta drejtuar këtë parti deri në kthimin e tyre, nuk e arsyetoi pritshmërinë dhe duket se nuk mjaftoi për të mbyllur hemorragjinë e brendshme, e as për të rikthyer besimin te elektorati i përçarë apo te ata që e ishin rreshtuar në taborë tjera. Përpos pushtetit, zgjedhjet e fundit rrezikuan t’ia marrin kësaj partie edhe “vlerat e luftës”.
Dikujt mund t’i duket se nuk kishte garë. Dikush mund të mendojë se gjithçka është mbyllur por, në fakt, gara e vërtetë duhet të jetë zhvilluar dhe do të vazhdojë edhe pas kësaj konvente, brenda vetë personit të kryetarit të ri të PDK-së. Do të fitojë Memli apo Hashimi Thaçi brenda tij, apo ndoshta do të fitojë Kadri Veseli? Ndoshta do të fitojë një autoritet tjetër në këtë parti? Zëra publik pohojnë, në disa media, se pas emërimit të tij qëndron autoriteti i pakontestueshëm i ish-komandantit të UÇK-së. Ai ishte fuqia edhe e ish-kryetarit Thaçi i cili e rivendoste “shpeshherë me gjoks” baraspeshën, sa herë që ajo luhatej në dobi të kundërshtarëve të tij.
Kandidati i fundit, e ndoshta edhe më i rëndësishmi i cili mund të fitojë garën brenda vet kryetarit të ri të PDK-së, është edhe personaliteti ndoshta më me ndikim në jetën e tij e ky është intelektuali dhe veprimtari politik Milazim Krasniqi. Autoritet për shumë gjenerata studentësh, gjithnjë në kuptimin politik të fjalës, mund të jetë fituesi i garës në kokën politike të kryetarit të ri.
Nuk është se Memli nuk ka potencial të udhëheq këtë parti, apo cilëndo parti tjetër. Ai, me angazhimin e tij ka dëshmuar se ka energji, kreativitet dhe karakter. Pyetja është se a ka arritur ai ta mund autoritetet brenda vetes dhe të formësohet në lider të mirëfilltë apo do të jetë vetëm kopje e zbehtë e ndonjërit nga ata dhe vazhdues i veprës dhe luftërave të tyre.
Pra, ishte padyshim një garë e fortë për kryetarin e ri të PDK-së dhe, cilado që të jetë zgjedhja, apo qoftë ajo edhe një koktej autoritetesh politike në kokën e kryetarit të ri, nuk do të jetë e lehtë udhëheqja e një partie si PDK-ja pa e reformuar sipas vizionit të tij.
Përderisa LDK po e zëvendësonte dikur liderin e saj historik me një të ri, pas vdekjes së ish-presidentit Ibrahim Rugova, në Partinë Demokratike të Kosovës, pas largimit të kryetarit të saj nga kreu i partisë për të marrë kreun e shtetit, nuk u arrit të ndërtohet figura e udhëheqësit të ri pasi rrinte pezull ideja e kthimit të mundshëm në parti të Thaçit pas përfundimit të mandatit. As reformat e filluara nga Veseli nuk arritën të përmbyllin dhe të sjellin kualitet të ri e t’i mbyllin divergjencat.
Me shkuarjen në Hagë të dy liderëve, vakant nuk mbeti vetëm pozita e kryetarit, por mbetën shumë dilema bazike nëse do të vazhdohet me historinë apo do të ofrohet një vizion qytetar e demokratik për të ardhmen. Vlerat e luftës apo vlerat e qytetarit, kujtesa apo shpresa? Frymë e re apo gulçime të së kaluarës?
Përkundër idesë se nuk pati garë, se nuk pati zgjedhje po emërim, duhet konsideruar edhe mundësinë që po fillon një epokë e re në PDK. Gara sapo ka nisur dhe shpejtë do të shihet a fitoi ai apo ata!