Telegrafi

Krasniqi viziton Thaçin e Veselin: Rikujtuam së bashku momentin dhe emocionet e 17 shkurtit të vitit 2008

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka vizituar ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), për t’i uruar për 15-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

“Shënimi i 15 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës nuk mund të ishte i plotë pa i uruar ata që tërë jetën punuan e sakrifikuan për lirinë që e gëzojmë sot dhe që ngritën themelet e shtetit tonë – Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

“Javën e Pavarësisë e përmbylla në Hagë, aty ku çlirimtarët e Kosovës po zhvillojnë betejën e tyre të fundit për të vërtetën e luftës së drejtë të popullit tonë për liri e pavarësi”, ka shkruar tutje Krasniqi.

I pari i PDK-së thotë se me ish-krerët e UÇK-së ka kujtuar emocionet e 17 shkurtit të vitit 2008, duke uruar që gjithë çlirimtarët t’i kemi në Kosovë në festat e ardhshme.

“Duke rikujtuar së bashku momentin dhe emocionet e 17 Shkurtit të vitit 2008, por edhe aspiratat që i kemi përmbushur në vijim, urova që Hashim Thaçi e Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi dhe të gjithë çlirimtarët e tjerë t’i kemi në Kosovë në festat e ardhshme, si triumfues e fitimtarë”.

Krasniqi për fund ka thënë se do të jemi p”ërherë falënderues për kontributin e tyre të pashoq për Kosovën”.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020, pasi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Të katërtit janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi ta.

Procesi gjyqësor do të fillojë më 3 prill./Telegrafi/