Site icon Telegrafi

​Memli Krasniqi nuk i shkon në takim Kurtit

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka refuzuar ftesën e kryeministrit, Albin Kurti për t’u takuar dhe biseduar lidhur me takimin e fundit që kishte në Bruksel.

Me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Krasniqi ka thënë se është i gatshëm për takim vetëm kur procesi i dialogut të ketë avancim dhe diskutim konkret mbi arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë.

“Nuk konsideroj se në këtë moment ka një situatë emergjente për t’u takuar e për të diskutuar për këto përgjëgjësi tuajat. Megjithatë, unë mbetem i hapur dhe i gatshëm që të takohem me ju në momentin kur të ketë avancim të procesit të dialogut dhe diskutim konkret për arritjen e marrëveshjes finale, që ka për qëllim njohjen e ndërsjellë”, ka shkruar Krasniqi.

Ai e ka ritheksuar qëndrimin e PDK-së karshi dialogut.

“Qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës mbetet i njëjtë dhe konsistent, në mbështetje të Dialogut, të fokusuar në arritjen e marrëveshjes finale, që sjell njohjen e ndërsjellë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë dhe që mundëson anëtarësimin e Kosovës në OKB, NATO dhe BE, duke ruajtur sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit tonë”, shtoi Krasniqi.

I pari i PDK-së, ka potencuar se në procesin e dialogut, PDK-ja ia ka dhënë hapësirën e nevojshme qeverisë për të kryer detyrat në mbrojtje të interesave të vendit, duke konsideruar se ky proces është i pa alternativë për arritjen e paqes dhe qëllimeve tona shtetërore.

Lexo po ashtu Abdixhiku pranon ftesën e Kurtit: Çështjet kombëtare duhet të jenë mbi politikën ditore

“Sepse, Dialogun me Serbinë asnjëherë nuk e kemi parë si betejë të brendshme politike. Aktualisht, e tëra që po shohim është se dialogu ka rrëshqitur në nivel teknik, duke përfshirë riciklimin e marrëveshjeve të kaluara. Sa i takon zbatimit të përgjegjësive që keni si udhëheqës i Dialogut, unë iu inkurajoj që të vazhdoni angazhimin tuaj dhe te qeverisë për respektim të vendimeve të ligjshme që sigurojnë reciprocitet në raport me Serbinë, si dhe sundim të ligjit dhe lëvizje të lirë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës”.

Ndryshe, kyetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK), Lumir Abdixhiku ka pranuar ftesën e  Kryeministrit Kurti megjithëse kishte pritur një proces më transparent dhe njëherësh, më gjithëpërfshirës rreth procesit të dialogut.

“Ftesa e Kurtit vjen me vonesë, por meqë besoj se çështjet kombëtare duhet të jenë mbi politikën ditore, do ta pranoj këtë ftesë”, ka shkruar Abdixhiku.

Lexo po ashtu Haradinaj i përgjigjet pozitivisht ftesës së Kurtit për takim: Për tema nacionale nuk ka qeveri e opozitë

Një reagim i tillë vie pasi ftesa e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti pas lajmërimit se do të ftonte liderët opozitarë për të biseduar para takimit të arshsëm në Bruksel, vie me vonesë.

Edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka bërë të ditur se i është përgjigjur pozitivisht ftesës së kryeministrit Kurti për një bashkëbisedim lidhur me takimet e fundit që janë zhvilluar në Bruksel, në kuadër të dialogut.

Ai ka thënë se për të dhe partinë që ai udhëheq, çështja e dialogut për njohje, gjithmonë ka qenë çështje mbipartiake./Telegrafi/

Exit mobile version