Kryetari i RDK-së Vesel Memedi, i cili është pjesë e koalicionit qeveritar, sot në konferencë për shtyp ka njoftuar se partia e tij do të jep dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha postet që i ka në kabinetin qeveritar.
Memedi njoftoi se edhe ai do të jep dorëheqje nga posti i nënkryetarit të Kuvendit, si dhe postit të deputetit, njofton Telegrafi Maqedoni.
Memedi tha se shkarkimi i ministrit të partisë së tij Suhejl Fazliu, nga posti i ministrit të Vetëqeverisjes Lokale, ka filluar nga një anëtarë i kabinetit të Zaevit, Kire Partallov, ndërsa është përfunduar nga vetë kryeministri Zaev.
“Ashtu si u futëm në qeveri, me të njëjtat parime qëndruam deri në fund. Edhe pse deri tani nuk u përmbush asnjë premtim nga BDI dhe LSDM për zgjerimin e koalicionit. Ky koalicion LSDM-BDI-RDK e ruajti stabilitetin qeveritar, edhe pse më pas u futën edhe parti tjera për përfitime politike. Për çudi, menjëherë pas rrumbullakësimit të proceseve, dikush kishte kurdisur një lojë kundër ministrit tonë. Në krye të kësaj valle ishte njëfarë Kire Partallov, ndërsa këtë lojë e përfundoi kryeministri”.
“Nuk do të ketë pazar me vendin ministror, pasi unë nuk kam mandat të bëj pazar në emër të shqiptarëve. Nuk kam të drejtë morale të sakrifikoj figurën e ministrit Suhejl Fazliu, pas të cilit qëndrojnë njerëz të pastër. Objektivat e shqiptarëve pothuajse janë përmbushur dhe nëse partnerët e koalicionit dëshirojnë të vazhdojnë rrugën me RDK-në, atëherë LSDM duhet të tërheq propozimin për shkarkimin e ministrit tonë dhe BDI të mos votojë për shkarkimin e ministrit tonë”, tha mes tjerash Memedi.
Ky vendim i Memedit vjen pasi kryeministri Zoran Zaev, vendosi që ministrin e vetëm të RDK-së Suhejl Fazliu ta shkarkojë, ndërsa në vend të tij propozoi Goran Milevskin.
Përveç këtij ndryshimi, kryeministri Zoran Zaev ka propozuar edhe disa ndryshime tjera në Qeveri, të cilat sot pritet të votohen nga deputetët në Kuvend./Telegrafi/