Autori i serisë së dokumentareve ”Gjurmë shqiptare” dhe “Shqipëria tjetër” në Top Channel, Marin Mema ka ardhur më një rrëfim në emisionin “Personale” me Krenare Vokshi-Shala në RTV Dukagjini.
Gazetari thotë se është për të ardhur keq që në rrugët e Shqipërisë në vende të caktuar ka emra të njerëzve që kanë vrarë shqiptarë.
Ai ka përmendur Finiqin, një zonë me minoritarë grekë, ku thotë se aty ka emra rrugësh që mbajnë emra të njerëzve që kanë vrarë shqiptarë.
Mema ka thënë se edhe në zonën e Shkodrës është ngritur një memorial në përkujtim të ushtarëve serbo-malazez të rënë në vitin 1912.
Ai thotë se ajo periudhë i përket rrethimit të Shkodrës që mijëra shqiptarë kanë vdekur nga bombardimet që bënin ushtarët serbo-malazez.
“Ai memorial ishte ngritur pa dijeninë e autoriteteve vendore të Shkodrës dhe ato shtetërore. Jemi në një pikë ku disa njerëz vijnë dhe ngrenë një memorial dhe askush nuk di asgjë. Në këtë pikë ka rënë siguria kombëtare. Ai memorial edhe sot e kësaj dite gjendet aty”.
Gazetari thotë se ai memorial përkujton ata që kanë vrarë shqiptarët gjatë rrethimit të Shkodrës./Telegrafi/