Site icon Telegrafi

Meloni reagon ndaj emisionit investigativ të Rai3: Linçoi Ramën se mbrojti Italinë

Kryeministrja e Italisë Xhorxha (Giorgia) Meloni e ka cilësuar emisionin investigativ “Report” të Rai3 si linçim ndaj kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe Shqipërisë pse ai zgjodhi të ndihmonte Italinë lidhur me marrëveshjen për emigrantët.

Gjatë një konference ku shprehu kandidaturën e saj për zgjedhjet evropiane, Meloni tha se emisioni “Report” e “portretizonte Shqipërinë si narko-shtet” dhe kjo, shtoi ajo, vetëm se Rama ndihmoi Italinë.

“Bëmë marrëveshje me Edi Ramën, kryeministrin socialist  në Shqipëri, për hapjen e dy qendrave për pritjen e emigrantëve. E majta propozoi përjashtimin e Ramës nga Partia Socialiste Europiane, vetëm pse guxoi të ndihmonte qeverinë italiane të qendrës së djathtë. Në vend që ta falenderonin, se veproi në emër të solidaritetit europian, kërkuan dënimin e tij. Shërbimi publik italian “Tele-Meloni”, bëri një raportim mbi qendrat e pritjes në Shqipëri, ku e portretizonte të gjithë atë vend si një narkoshtet. Më ndihmoni të shpreh solidaritetin tim me Ramën dhe të gjithë popullin shqiptar, që u dënuan vetëm sepse tentuan të ndihmonin vendin tonë”, tha Meloni.

Lidhur me emisionin “Report” edhe kryeministri Edi Rama ka reaguar disa herë duke e cilësuar atë “si të neveritshëm dhe të mbushur me paragjykime për Shqipërinë”.

Kryeministri Edi Rama i ka cilësuar si shpifje djallëzore në kurriz të Shqipërisë emisionin investigativ “Report” në Rai Tre, ku akuzon Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave Engjëll Agaçi si “avokat i trafikantëve dhe personi kyç që shërbeu për paktin dhe marrëveshjen për emigrantët mes Shqipërisë dhe Italisë”.

Kreu i qeverisë shqiptare ka sqaruar se e gjithë kjo ky furi për të sulmuar Xhorxha Melonin (Giorgia) në kurriz të Shqipërisë është përbaltje ndaj vendit të tij./RTSH

Exit mobile version